(Majtas autorja e vjedhjeve, djathtas Ardian Çipa)
Nga gazeta “Shekulli”
Ajo është rreth 40 vjeçe. Me origjinë nga Vlora, por teksa të rrëfehet për jetën e saj, kupton se ka vuajtur shumë dhe asnjëherë nuk ka pasur momente të qeta. Rozalinën e takuam mes grave të dënuara në burgun 325 Tiranë. Qëndronte e heshtur, por jo indiferente ndaj pyetjeve tona. Ne e njohim me emrin Rozalinda Konomi, si gruaja që në qershor të vitit të kaluar, u arrestua për disa grabitje në kryeqytet. Emri saj u bë i njohur pikërisht se në listën e personave të grabitur, ishte bashkëshortja e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa. Por vet ajo na tha se quhej Rozalina Asllanaj dhe ishte rritur në Vlorë, ndërsa pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në disa shtete të Evropës. Na rrëfeu se që prej moshës 20-vjeçare vetëm ka udhëtuar. Vitet e fundit ka qëndruar në Holandë. Me pak fjalë na tregon për udhëtimet e saj të shpeshta, arsyet e rikthimit në kryeqytet, jetën me vajzën e saj të mitur, për të cilën thotë se e ka lënë në Holandë me prindërit e moshuar. Arsyen pse ndodhet në burg ta shpjegon shumë qartë, edhe pse herë pas herë mundohet të na tregojë se ka probleme mendore, për të cilat edhe kurohet.
Rozalina prej sa kohësh qëndroni në burg dhe përse jeni dënuar?
Ju duhet të më njihni shumë mirë mua. Unë quhem Rozalina Asllani dhe ndodhem në burg që prej qershorit të vitit të kaluar. U dënova me 2 vite e 6 muaj burg, por pranova gjykimin e shkurtuar dhe tani me kanë mbetur edhe pak muaj që të jem e lirë. Unë kam një histori shumë të bukur (qesh). U arrestova për grabitje të disa grave në kryeqytet. Por, nuk e kisha llogaritur se dora ime do të futej në një çantë që më pas rezultoi të ishte e një drejtori policie.
Mund të na e sqarosh më hollësisht këtë histori, si ndodhi?
Unë kisha dalë nga banesa në kryeqytet, të cilën e kisha marrë me qira. Rrija prej disa kohësh. Ishte futur në një dyqan dhe po shihja veshje të ndryshme. Në atë moment aty futet një grua e veshur mirë dhe me një çantë që të tërhiqte vëmendjen. Unë mendova se ajo do të kishte para. U afrova dhe pashë çantën e hapur. Futa dorën dhe mora një sasi të konsiderueshme parash.
Sa ishte shuma që grabitët, dhe si vepruat më pas?
Nuk mund të them me saktësi se sa lekë mora. Thjesht futa dorën dhe mora një grusht me para. Sa i mora dola jashtë nga dyqani dhe u nisa të largohesha. Por më pas u pendova dhe u ktheva. Zonjës ia dhashë sërish lekët. Por kjo duket se nuk vlejti në këtë rast. Mësova se ajo ishte gruaja e nëndrejtorit të Policisë së shtetit Ardian Çipa.
Ku e mësove këtë?
Në qeli. Pasi më arrestuan më thanë se kisha grabitur gruan e nëndrejtorit të policisë. Por unë nuk kam dashur asnjëherë të bëja një veprim të tillë. Nuk e di se ç’më gjeti. Atë ditë nuk kam qenë mirë dhe më kujtohet se kam pirë dhe shumë ilaçe. Askush nuk më besoi, por unë në të vërtetë mjekohem nga depresioni.
Rozalina, emri juaj lidhet edhe me disa ngrabitje të tjera, para se të arrestoheshe?
Të gjitha i kam bërë nën ndikimin e ilaçeve. Unë jam bërë depresive që kur kam lindur vajzën, të cilën tani nuk e di se si është. Unë jam larguar nga Shqipëria që kur kam qenë në moshë të vogël. Kam jetur në shumë shtete dhe së fundmi jetoja në Holandë. Atje kam edhe vajzën.
Pse erdhët në Shqipëri dhe me kë e latë vajzën tuaj në Holandë. Kush kujdeset për të?
Erdha për të takuar prindërit. Kisha disa ditë që isha kthyer prej andej. Por më besoni isha nën efektin e ilaçeve kur e kam bërë vjedhjen. Në Holandë kam lënë një vajzë pesë vjeçe. Tani ajo qëndron te një qendër sociale.
Po babai i vajzës nuk ndodhet në Holandë me të?
Nuk e njoh babanë e vajzës. Nuk di çfarë të them më shumë. Unë kam bërë një jetë të vështirë dhe për këtë duket se ndodhem dhe këtu. Kur linda vajzën unë kalova në depresion dhe nga ajo kohë marr mjekim. Edhe gjatë kohës që jam në burg, unë kam marr mjekime.
Ju thoni se keni qëndruar në Holandë, çfarë pune keni bërë atje?
Të ndryshme. Në hotele, lokale, kryesisht si faturiste. Nuk kam as shkollë dhe kam bërë ç’të mundem. Sapo të përfundoj dënimin do të kthehem te vajza ime në Holandë. Nuk do të bëj më atë që kam bërë këtu. Jam mërzitur shumë dhe më ka marrë malli për vajzën e vogël. Nuk e di se çfarë bën dhe si janë kujdesur për të.
Ti thua se do të largohesh për në Holandë. Ku do t’i gjesh paratë?
Do dal ndokush që të më ndihmoj që unë të shkoj te vajza. Në Vlorë kam disa kushërinj. Them se do të bëj të pamundurën për t’u larguar prej këtej. Nuk do të fus më duart në çantat e grave. Do shkoj në Holandë dhe do përpiqem të nis një jetë të re.
Si u arrestua Rozalina Rozalina
Kishte realizuar më shumë se 7 vjedhje, duke rrëmbyer çanta dhe sende të tjera personale në dyqane të ndryshme veshjesh, teksa klientët provonin ato që dëshironin të blinin. Por, në tentativën e tetë, dështoi pasi zgjodhi personin e gabuar për t’i vjedhur çantën, zgjodhi bashkëshorten e nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa. Dhe ky i fundit nuk mund të toleronte që edhe bashkëshortja e tij të binte preh e vjedhjeve, duke e arrestuar vetë personalisht bionden ngaVlora. Edhe raportin për arrestimin në flagrancë e ka përpiluar vetë nëndrejtori Çipa me shkrim dore, duke shpjeguar edhe rrethanat se si mori dijeni nga bashkëshortja e tij dhe deri tek identifikimi nëpërmjet kamerave të sigurisë dhe arrestimin e bërë personalisht nga ai.