Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm me pasoja të rënda të një konflikti familjar.
Ushtron dhunë fizike ndaj bashkëshortes arrestohet në flagrancë nga Policia. Gjithashtu arrestohet në flagrancë edhe bashkëshortja, pasi ka kanosur me armë zjarri bashkëshortin duke qëlluar në ajër me automatik.
Kjo ngjarje ka ndodhur në fshatin Seferan Belsh, në familjen e shtetasit Mylazim Abazi, ku policia mori njoftim se ka një konflikt familjar mes bashkëshortëve, si dhe janë dëgjuar edhe të shtëna me armë.
Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, ku ka rezultuar se:
Shtetasi Mylazim Abazi, 58 vjeç, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij shtetases Adelina Abazi 54 vjeçe, e cila më pas kishte marrë një armë zjarri automatik që e mbanin në banesë pa leje dhe ka kërcënuar bashkëshortin duke qëlluar në ajër në banesë.
Ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit duke bërë arrestimin në flagrancë të dy bashkëshortëve për "Dhunë në familje", "Armëmbajtje pa leje" dhe "Kanosje".
Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik me një krehër me 18 fishekë, si dhe 2 gëzhoja të qitura nga arma automatike.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprat penale të parashikuara nga nenet 130/a,278/3 dhe 84 të Kodit Penal.





