Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe opozita kanë bërë paralajmërime të shumta për protestën që po organizohet të mbahet në 6 dhjetor.

Teksa janë ngritur një sërë aludimesh mbi këtë protestë, që do të zhvillohet në të njejtën ditë me Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Berisha ka sqaruar pozicionin e opozitës.

Berisha tha në një takim me krerët e degëve të Tiranës se protesta do të jetë paqësore, pra nuk do të ketë akte dhune në bulevard.

“Ky përpiqet që ne të mos jemi. Por ne do të jemi datën 6 në bulevard. Ky kërkon të na zhdukë ne, por këtë nuk ja pranojmë kurrë atij. Ai do të përballet me të gjitha pasojat.

E them edhe njëherë, data 6 do të jetë protestë paqësore.

Data 6 do të jetë një betejë, e cila vazhdon.

Ky kalon nga superskandali në superskandal. Ky nuk njeh kufij, normë, parim.

A e shihni betejën që zhvillohet për skapin dhe SPAK-un. Çfarë vendi jemi ne. Ne vetëm vendi i lirë nuk jemi. Ne jemi njerëz me ideale, do ti kthejmë dinjitetin shqiptarëve.

Ata që mendojnë se mund të na asgjësojnë ne, do të përballen me të gjitha pasojat e kësaj përpjekje. Kjo është një protestë paqësore, por beteja vazhdon me protesta të tjera”, deklaroi kreu i PD-së.