DURRËS, 1 korrik 2013 – Mbi 2700 udhëtarë, shumica bashkatdhetarë, kanë mbërritur të dielën, më 30 qershor 2013 me tragete nga Bari dhe Ankona (Itali) në portin e Durrësit, duke shënuar edhe fillimin e fluksit të pushuesve për sezonin veror të këtij viti.
Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur se shumica e udhëtarëve janë bashkatdhetarë me punë dhe banim në vende të ndryshme të Evropës perëndimore, të cilët më pas nga Durrësi vijojnë udhëtimin me automjete drejt qyteteve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.
Udhëtarët dhe automjetet nuk patën asnjë vonesë në sportelet e kalimit kufitar-thanë burimet, sipas të cilave numri i udhëtarëve pritet të rritet ditë pas dite deri në mesin e muajit gusht.
Pas katër trageteve që mbërritën nga Bari më 30 qershor 2013, në orët e para të mëngjesit, pasdite në portin më të madh të vendit mbërriti dhe trageti i linjës Ankona-Durrës, me rreth 550 udhëtarë dhe 180 autovetura.
Pesë tragetet që u ankoruan në Durrës sollën nga Italia 2700 udhëtarë me 700 autovetura, çka përbën edhe numrin më të madh të udhëtarëve, që nga fillimi i sezonit veror.
/g. k., th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





