16 maj 2015 – E diela e Kategorisë Superiore ka dy fronte, Europën e mbijetesën e mbi të gjitha dy epiqendra, Kukës e Durrës. Tronditjet priten të jenë të forta në ‘Zeqir Ymeri’, Europa për Tiranën kalon nga Kukësi aty ku do të përballet në javën e parafundit me skuadrën verilindore me synimin për një fitore në mënyrë që të mos ja lërë rastiësisë dritaren europiane.
Pas dy barazimeve ndaj Partizanit dhe Skënderbet, skuadra e Maganit thërritet në një mision sa të rëndësishëm aq edhe të vështirë. Sikur të mos mjaftonin rezultatet e fundit, ridimensionimi i objektivave dhe vështirësia që paraqet një ndeshje në transfertë me Kukësin, Maganit i duhet të bëjë në këtë takim pa Ervin Bulkun, Elis Bakajn dhe Selemani Ndikumanën që zyrtarisht sipas klubit ka një problem me tendinën. Në kampin e Kukësit për Radanovic janë të gjithë në dispozicion me përjashtim të Smajlit dhe Dushkut, dhe nënkampionët e Shqipërisë padyshim që do të tentojnë një fitore prestigji në ndeshjen e tyre të fundit në shtëpi.
‘Zeqir Ymeri’ veç të tjerash nuk është një territor fatsjellës për Tiranën, pasi bardheblutë nuk i’a kanë dalë të fitojnë aty asnjë nga ndeshjet e luajtura. Sulmon Europën dhe Partizani që teorikisht nuk duhet të bëjë ndonjë sforco titanike përballë Vllaznisë që nuk fiton prej 6 takimesh dhe punon prej kohësh për sezonin e ardhshëm, gjithsesi shpesh në fushë gjërat rezultojnë ndryshe nga sa parashikohen në letër dhe të kuqtë do të kenë mundësinë për t’u hakmarrë ndaj skuadrës që ndoshta i ka kompromentuar më shumë se gjithë të tjerat kampioinatin me Vllazninë që i ka marrë 6 pikë në dy takimet e fundit Partizanit.
Laçin për ta siguruar Europën nga superiore në lojë e mban vetëm matematika, por gjithsesi skuadra e Armando Cungut nuk ka përse të nënvlerësojë çdo shpresë, sidomos përballë një kundërshtari si Elbasani i rënë nga Kategoria.
Epiqendra e mbijetetesës është në ‘Niko Dovana’, aty ku Teuta pret Apoloninë në një play of të vërtetë për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve. Skuadra dusrake me një pikë më shumë në klasifikim ndien pranë fantazmat e kategorisë inferiore dhe përballë Apolonisë që vjen me shpresën e fundit parashikohet një 90 minutësh i zjarrtë e mbi të gjitha interesant për të parë veç grintës, edhe se cila do të triumfojë mes eksperiencës së bregdetarëve dhe rinisë së talentuar në formacionin fierak.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/