Dita e katërt e radhëve e ka gjetur Kakavijën sërish mes vargut kilometrik të automjeteve në pritje për të kaluar drejt Greqisë.
Radha është reduktuar në rreth 5 km këtë mëngjes. Një pjesë e qytetarëve kanë kaluar kufirin gjatë natës dhe shumë janë larguar pasi humbën shpresën se mund të hynin në Greqi para datës 17 gusht, ditë kur fillon aplikimi i regjimit të ri për hyrjen.
Nga dita e sotme pala greke ka njoftuar përpunimin e vetëm 750 personave. Ndërkohë që mësohet se në radhën e pritjes në Kakavijë janë të paktën 8000 vetë.
Nga sot (e diel 16 gusht), kushdo që futet në pikat kufitare të Greqisë do të duhet të karantinohet për 7 ditë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar dje qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, se nga sot çdo qytetar që do të futet në territorin grek do të duhet të karantinohet për 7 ditë.
Gjithashtu, duke filluar nga dita e hënë në nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.





