Kryeministri Edi Rama vazhdon të replikojë në distancë me gazetarin dhe moderatorin e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu. Sipas kreut të qeverisë, Fevziu gënjeu kur tha se “kishte fakte që 7 ministra shkonin në udhëtime private jashtë vendit dhe linin kasetat nëpër televizione sikur janë në punë”.

Rama thekson se gjatë periudhës së fundit, për shkak të kushteve të vështira atmosferike, një sërë ministrash kanë qenë të angazhuar pa ndërprerje në terren, ditë e natë, çka sipas tij e bën edhe më të pabesueshme akuzën e hedhur në publik. Ai shton se nuk ka qenë i befasuar nga kjo deklaratë, duke nënvizuar se në studiot televizive shpesh qarkullojnë akuza të pavërtetuara nga përfaqësues të opozitës, por këtë herë e konsideron të papranueshme që një pretendim i tillë të artikulohet drejtpërdrejt nga moderatori i emisionit.

“Mesa kuptoj dëbora e kudondodhur dhe kalendari i ngjeshur i influencerit, e penguan Blendi Fevziun të merrej seriozisht me faktin që i gënjeu hapur shikuesit e tij besnikë, kur nga ekrani i Opinionit u tha, “kam fakte që të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë… Ju’a garantoj!” Që kjo ishte një gënjeshtër e llojit shpifje, këtë nuk e mohoi dot as vetë Fevziu, duke reaguar ndaj postimit tim pa sjellë asnjë fakt mbi këtë sajesë të hedhur nga dritarja e Opinionit në shtëpitë e shqiptarëve, bash kur një sërë ministrash ishin ditë e natë rrugëve gjatë vorbullës atmosferike të javëve të fundit”, shkruan Rama krahas një foto montazhi.

Më tej, i bën apel që ai të kërkojë falje.

“Unë e dija që Fevziu gënjeu, siç e di kur gënjejnë – shumë më shumë dhe shumë më shpesh se sa ai – llazoret demokratikase të sallonit të tij ose daha më keq, konkurentet e tyre tek salloni i qimeve të opozitës apo le pastaj barisalifallinjtë e udhëheqjes demokratikase. Por duke qenë se tek salloni i Fevzos shkoj edhe vetë, kur vjen ora e ndonjë debati me përfaqësuesin më të gëlltitshëm të çetës opozitare, e kam detyrim t’i bëj apel Fevziut që t’i kërkojë falje shikuesve të përbashkët dhe të mos fshihet pas analizave të motit, me hilenë që çudia tre ditë zgjat!

Shumica dërrmuese e atyre shikuesve nuk janë votuesit e mi, madje janë tifozë kundërshtarë, por ama ata janë edhe shikuesit e mi, të cilët Fevziu i keqtrajtoi brutalisht me atë shpifje plateale, ndërkohë që në ekranin e Opinionit ata janë në besën e tij. Dhe nëse Fevziu nuk i mbron dot nga shpifësit që fton aty në çdo debat politik, minimalisht nuk duhet t’i abuzojë edhe vetë apo jo?

Do thoni ju po se mos është e para herë dhe të drejtë keni, por ama ka një moment kur duhet ndaluar e kërkuar një falje, qoftë edhe njëherë të vetme, se ky avazi i bubullimave të shpifjeve e i gërrgërrimave të akuzave nga mëngjesi në mesnatë u bë pocaqi fare, e mbase Fevziu si një lider mediatik në mexhelisin e 700 tenxhereve e gjen tek vetja këtë forcë duke dhënë një shembull pozitiv…”, thuhet në postimin e Ramës në Facebook.

LEXONI EDHE: