Njerëzit natyrshëm i gëzohen ardhjes së pranverës, për arsye të ndryshme. Dita është më e gjatë dhe njerëzit kalojnë më shumë kohë me miqtë dhe familjen.
Në këtë panoramë nuk ka asgjë të keqe, por psikologët kanë vënë re se me rritjen e temperaturave njerëzit bëhen më agresivë dhe më të dhunshëm.
Sipas tyre, temperaturat e nxehta janë një sfidë e madhe për trurin e njeriut. Natyrshëm lind pyetja, çfarë ndodh në këtë kohë që i bën njerëzit të humbasin toruan, por edhe mendjen?
Përse bëhemi më gjaknxehtë?
Teoritë e psikologëve për këtë reagim të njeriut ndaj temperaturave të nxehta janë të shumta.
Njëra prej tyre bazohet tek fakti se temperaturat e larta dhe pamundësia për tu freskuar rregullisht shkakton parehati dhe shumë stres.
Njeriu e ka në natyrë dëshirën për të pasur kontroll mbi veten, të tjerët, ambientin dhe situatat e ndryshme.
Temperaturat nga ana tjetër janë diçka që njeriu nuk i rregullon dot sipas dëshirës.
Kësisoj, humbja e kontrollit shkakton zemërim, dhe ky i fundit shpërthen ndaj diçkaje ose dikujt tjetër.
Për shembull, nëse keni ngecur në trafik në pikë të vapës, gjasat janë të larta që të bini pre e zemërimit dhe të acaroheni ndaj të tjerëve.
Zemërimi, mund t’ju shtyjë të merrni vendime të nxituara e të papeshuara mirë, pasojat e të cilave më pas shkaktojnë më shumë zemërim.
Faktorë të tjerë që kontribuojnë në përkeqësimin e humorit në stinët e ngrohta janë: mungesa e gjumit si pasojë e vapës dhe dehidratimi.
Ekspertët thonë se njerëzit nuk duhet të marrin asnjë vendim të rëndësishëm për jetën kur moti është i nxehtë, sepse gjasat janë të larta që do të pendohen më vonë.
Nëse bllokoheni në trafik në pikë të vapës, mbani mend që edhe personi para jush që po i bie borisë si i çmendur, po përjeton të njëjtin zemërim, ndaj frenohuni nga çdo reagim i momentit.
Si të frenoni zemërimin
Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të hidratoheni sa më shumë. Pini ujë dhe hani sa më shumë fruta,
Nëse merrni ilaçe për tensionin e gjakut, do ju duhet të pini shumë më shumë ujë dhe lëngje.
Mbi të gjitha, përpiquni të përqendroni energjitë tuaja tek disa aspekte të jetës të cilat janë nën kontrollin tuaj./AgroWeb.org