Sulmi mbi konsullatën amerikane në Bengazi, në të cilin mbeti i vrarë ambasadori Kristofer Stevens ka kthyer vëmendjen e dy kandidatëve në garë për Shtëpinë e Bardhë nga politika e jashtme. Ndërsa fushata elektorale po ashpërsohet gjithnjë e më shumë, për shkak të afrimit të datës së zgjedhjeve, debatet e Obamës dhe Romneyt ishin përqendruar deri tani tek kriza ekonomike.
Ngjarja e rëndë në Libi duket se po përdoret nga kandidati Romney për të sulmuar rivalin e tij. Kështu gjatë një fjalimi në televizionet amerikane Romney u shpreh se “Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kërkojnë asnjëherë falje, kur mbrojnë vlerat e tyre. Është gabim të tolerosh sulmet mbi qytetarët amerikanë. Është e turpshme që përgjigja e parë e administratës Obama nuk dënoi sulmet mbi misionet tona diplomatike, por shprehu simpati për ata që i drejtuan këto sulme”.
Ndërsa amerikanët janë të prekur nga ngjarja e rëndë në Bengazi, Romney po përpiqet të bëjë për vete zgjedhësit. Siç tregojnë sondazhet, Romney është disa pikë poshtë Obamës, që pas zhvillimit të konventave respektive të republikanëve dhe demokratëve. Me këtë deklaratë të tij, ish guvernatori i Massachusetts po tenton të luajë një lojë delikate duke drejtuar vëmendjen tek zërat islamofobikë të konservatorëve, që e konsiderojnë Barak Obamën, jo një musliman, por një simpatizues të tyre.
Gjithsesi sfida e Romneyt është e vështirë dhe e rrezikshme. Gjithashtu ajo tregon se kandidati republikan është i gatshëm të kapet me gjithçka me qëllimin e vetëm që të ngjitet me disa pikë në sondazhe. Ndërsa presidenti Obama nuk preferoi t’i përgjigjej deklaratave të Romney, replikën me të e bëri Ben La Bolt, zëdhënësi i Obama për Amerikën, organizata që drejton fushatën elektorale të presidentit në detyrë.
“Jemi të tronditur nga fakti që në një moment si ky, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me vdekjen tragjike të njërit prej diplomatëve tanë në Libi, guvernatori Romney zgjedh këtë argument për ta kthyer në sulm politik”,- tha Bolt. Të njëjtin mendim me Bolt ka ndarë edhe John Kerry, presidenti i komisionit të jashtëm të senatit. Duke iu përgjigjur akuzave të Romney, Kerry u shpreh: “Ky është një nga ato momente kur amerikanët duhet të qëndrojnë të bashkuar. Kjo është ora më e gabuar për të bërë sulme politike, pasi duhet ruajtur qetësia dhe duhet ecur përpara me maturi”.
Ndërkohë e djathta ekstreme në SHBA përmes rrjetit social Twitter dhe stacionit Fox News e krahasoi Obamën me Karterin dhe Bengazin me Teheranin. “Për faj të Barak, të dobëtit, ambasadat amerikane lihen në mëshirën e ekstremizmit islamik, sot në Libi, ashtu si në 1979 në Iran. Në këtë mënyrë e djathta ekstreme përpiqet të lidhë emrin e presidentit të parë me ngjyrë me presidentin e fundit demokrat që nuk u rizgjodh për një mandat të dytë.
Nga ana tjetër shumë persona vunë në pah se Romney ishte i pari kandidat republikan, pas shumë dekadash, që harroi të përshëndeste trupat amerikane që ndodhen në Afganistan. Kjo duket se do të jetë një kartëvizitë e keqe për atë që aspiron të bëhet komandanti i ushtrisë më të fuqishme në botë.
Filmi “Pafajësia e muslimanëve” ka nxitur një valë protestash në vendet arabe dhe jo vetëm. Në Kajro situata vazhdon të mbetet e tensianuar, ndërkohë që në Sanaa, kryeqytetin e Jemenit, protestuesit mundën të hyjnë në ambasadën amerikane dhe i vunë flakën disa makinave. Protesta janë zhvilluar edhe në vende të tjera si në Gaza, Iran apo në Marok, Sudan apo Tunizi. Mijëra myslimanë, në Daka të Bangladeshit u përpoqën të mësyjnë ambasadën amerikane.
Presidenti amerikan, Barak Obama ka dërguar dy luftëanije drejt Tripolit. Pas sulmit në Bengazi, siç raportoi CNN, është dora e Al Kaedës. Ndërkohë sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me filmin për Muhamedin. Obama i shqetësuar ka telefonuar udhëheqësit e Libisë, Egjiptit dhe Afganistanit. Siç raporton Reuters, që citon burime të qeverisë afgane, u urdhërua mbyllja e faqes së Youtube, ku është publikuar filmi kundër Muhamedit.