Në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit që u organizua në Tiranë, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e të drejtës së informimit dhe investimit në infrastrukturën digjitale.
Por nga ana tjetër ai nuk la pa përmendur as rrezikun që vjen me teknologjinë, atë të keqinformimit apo lajmeve të rreme.
Fjalën e tij, të gjatë në letër por që premtoi t’i binte shkuar, Kryeministri e nisi me një shprehje të urtë të Plutonit.
“Mund ta falim një fëmijë që ka frikë nga errësira, tragjedia e mirëfilltë është kur të rriturit kanë frikë nga drita. Mendoj që kjo është sfida, si të bëjmë që të rriturit të mos i tremben dritës e si t’i bëjmë qeveritë të mos i tremben dritës.
E drejta për informim nuk është thjesht një instrument demokratik por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale. Kam kënaqësi të shoh përparimin e bërë, ndërkohë jam mjaft i vetëdijshëm që ky përparim thotë shumë për atë prej nga vijmë e ndërkohë tregon sërish se nuk është e mjaftueshme krahasuar me aty ku duam të arrijmë. Ja pse në fund të Qershorit do të mbajmë një konferencë të jashtëzakonshme vjetore për të drejtën e informimit të cilën e kemi konceptuar së bashku me zyrën e komisionerit si një ballafaqim midis fakteve dhe institucioneve ndërmjet asaj çka shkruhet në ligjet tona dhe asaj çka zbatohet. Në fund të fundit nuk është çështja vetëm të kemi ligje por edhe t’i zbatojmë ato dhe hendeku midis hartimit të ligjeve dhe zbatimit është sfidë për shumë prej nesh këtu”.
Teknologjia që sot i vjen në ndihmë vendeve në zhvillim për të drejtën e informimit, ka dhe një anë të keqe që duhet luftuar, theksoi Kryeministri Edi Rama.
“Ne jemi vende e njerëz që ndajmë një mendësi kur vjen fjala për të drejtën e informimit por ndërkohë jemi krejt të vetëdijshëm që nuk jemi suedez. Kur sheh njohjen e parë të kësaj të drejte që daton në vitin 1776 në aktin suedez për lirinë e shtypit, e kuptojmë të gjithë se sa e gjatë është rruga që kemi përpara. Për këdo këtu që është i ngjashëm me Shqipërinë që do të thotë një vend në zhvillim, ne jetojmë në kohëra bekim të madh që është teknologjia e re. Kjo teknologji na jep si vende në zhvillim një mjet që deri disa dekada më parë nuk ishte i pranishëm. Kësisoj na jep mundësinë të bëjmë një hap të jashtëzakoshëm drejt së ardhmes duke përqafuar progresin eksponencial në vend të atij linear që do të na kishte detyruar të shpenzonim një kohë të gjatë të lidheshim me vendet e tjera të zhvilluara.
Nga ana tjetër ky bekim vjen me një mallkim që është kapaciteti, aftësia që kjo teknologji të përdoret për qëllim keqinformimi. E drejta për informim kështu përballet me një kërcënim të madh. Na takon ne ta përdorim sa më mirë, të investojmë në infrastrukturën dixhitale që të gjithë qytetarët të kenë qasje të përdorin me efektivitet platformat. Së dyti, për të nxitur një kulturë transparence brenda institucioneve publike. Së treti, për të mos pasur frikë nga drita por për ta përqafuar dritën dhe për të punuar shumë më ngushtë me institucionet. Për të garantuar që të gjithë të kuptojnë që ekspozimi i informacionit dhe përdorimi i tij në maksimum është një ushtrim mjaft i shëndetshëm kundër keqinformimit”.