TIRANË, 18 mars 2013- Ardian Prrenjasi pranon në polici: “Kam vrarë 11-vjeçarin Julian Çela”. Dëshmia rrëqethëse konfirmohet nga burime të Policisë së Tiranës.
Zgjidhet kështu në mënyrë tragjike misteri i zhdukjes së djalit të Nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, i cili rezulton i zhdukur prej 30 nëntorit të vitit 2012.
45-vjeçari i arrestuar mesditën e djeshme si autor i rrëmbimit të 10-vjeçarit me iniciale A.Cani ka dhënë dëshminë rrëqethëse për të miturin Julian Çela në Komisariatin Nr. 3 Tiranë. Prrenjasi, pasi ka pranuar krimin ai fillimisht nuk ka dhënë detaje për vendin ku mund të ketë fshehur kufomën e të miturit si dhe as rrethanat e vrasjes.
Ardian Përrenjasi, baba i 3 fëmijëve, i divorcuar, është kapur dje në flagrancë, pasi pasditen e se shtunes kishte rrëmbyer një tjetër fëmije 10-vjeçar, të cilin po bëhej gati ta vriste të dielen, në shtëpinë ku jetonte me qera në Laprakë. Ardian Prrenjasi rezulton si person me precedentë penal, pasi është akuzuar se ka abuzuar seksualisht me të miturin si në shtetin grek ashtu edhe në vendlindjen e tij Librazhd.
Jualin Çela, djali i Nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH Skënder Çela, rezultonte i zhdukur prej 30 nëntorit 2012. Djali i nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që një nga pistat e hetimit ishte se zhdukja e vogëlushit kishte lidhje me punën e babait të tij.
E ËMA: MOS IA DËGJOFSHA EMRIN, VARENI NË LITAR
Fill pas arrestimit të "monstrës", 45-vjeçarit Ardian Prrenjasi, familjarët e tij i bënë thirrje drejtësisë të japë dënimin maksimal për të. Dy vëllezërit, nënën 75-vjeçare dhe motrën, i gjejmë në shtëpi. Ndërsa kanë mbyllur dyer dhe dritare, ata vetëm qajnë e mallkojnë. Në një prononcim për "GSH", e ëma, Sanije Prrenjasi tha se i biri ishte dënuar në Greqi për pedofili me 4 vjet burg. Edhe atje, akti monstruoz ishte kryer ndaj një fëmije të një çifti emigrantësh shqiptarë. "Që pas kthimit nga ushtria kemi konstatuar devijime. Është dënuar në Greqi për pedofili me 4 vjet burg. Pas kthimit që andej, kujtuam se u rehabilitua, u fejua. Kur ishte në prag të martesës, një rast tjetër ndodhi në Prrenjas. E denoncuan sërish, filloi procesi gjyqësor, por nuk është dënuar", – tregon e ëma. Edhe vëllezërit e 45-vjeçarit "monstër", Besnik dhe Fabian Prrenjasi pohojnë se ai është denoncuar për pedofili, madje dyshohet të jenë 4 raste në Prrenjas. "Që atëherë e dëbuam nga shtëpia. Ka ardhur vetëm një herë për një sebep, me këmbënguljen e gjithë fisit. Prej një viti e gjysmë u lidh me një vajzë të mirë dhe menduam se do martoheshin dhe s'do kishte më probleme", – shprehen ata. Familja kërkon nga drejtësia që ta varë në litar Ardianin. "Nuk kemi për t'ia parë më bojën. Ishalla e dënojnë sa më shpejt, me dënimin më maksimal. Na ka çnderuar, na ka varrosur të gjallë dhe nuk dimë se si ta ngushëllojmë atë familje që ka humbur djalin", – thotë Sanije Prrenjasi. I vëllai Besniku shkon më tej: "Nuk e meriton t'ia përmendim më emrin. Plumbi është pak. T'ia presin mishin copa-copa. Jo vetëm që ka bërë krime ndaj tyre, por edhe ndaj nesh. Kur dëgjova për krimin, mendova si të më kishte ndodhur për fëmijën tim", – shprehet vëllai Besniku.





