Nga Ilir Paja

Sharje, fyerje, citime, thashetheme, sharje dhe të gjitha dreqnitë shterpëzuese, e cila mund t’i pjellë dhe ti abortojnë ajo ose ato kategori njerëzore, të cilat pasi kanë arritur gjithçka tani u mbetet ta shembin deri në krijim një ringritje së paku morale! Në tekste historie, ku unë dhe pse për lexuesin, citimi, shembulli i marrë i kalojnë mbi një “shekull”, do mjaftonte kuptimi i frazës, që do e rendis më poshtë dhe do kuptojmë se cilët jemi ende në një “gjeo-ekzistencë” jo pak të prapambetur. Shkrimtari dhe jo pak studiuesi i fateve të njerëzve të mëdhenj, të shquar, por dhe jo pak në rënie deri në urrejtje në histori Stefan Cvajg, në monografinë mbi Zhozef Fushenë ka një postulat tejet filozofik të këtij të fundit, kur i duhej të jepte një mendim mbi një krim…

Dhe Fusheja iu përgjigj duke thënë: “Ai ( për Napoleonin) nuk bëri krim, por gabim!…Fjala në kontekstin historik ishte për vrasjen e dukës së Engienit, të cilin perandori e gjykoi me vdekje, si një profeci e një pasoje, ku krimi u shndërrua në një gabim historik. Për të mos bërë “gjuhëtarin”, të gjithë jemi në një mendje, nëse do duhej të jepnim kuptimin e dy fjalëve, si atë të  fjalës krim-vrasje, por dhe jo vrasje, ashtu dhe të fjalës gabim. Sipas mendimit tim, ajo, që këto fjalë dhe koncepte shoqërore, sociale dhe morale, i ndan dhe i bashkon, ka të bëjë me pasojën që lënë pas…Nëse një krim, siç lë pasoja vdekjesh, ashtu siç lë dhe një “shënjestër” deri kanunore, të bërit gabim, nuk është as instinkt, as shkreptimë nënvetëdijesh të momentit si i “mbi jetë dhe i nën jetë”, por është vetëdije e mbrapshtë, e qëllimtë, e prekshme ku dhe kufijtë e së mbërriturës së pasojës i njeh dhe i kontrollon njëherësh…

E tillë është politika jonë! As gjeo, pan, komb, integruese e të tjera pa të tjerat…Është një pus i thellë, nga i cili dhe përse kovën e etjes dhe babëzive e zbresim poshtë deri në taban ( duke shkelur dhe vetë Danten, i cili nga Ferri, tani duhet gjykojë të ligat në hone më vicioze), në vend të ujit prekim llum, nga i cili kova dhe ne nisim të joshemi, sepse e tillë është liria jonë,është liri e zhveshur pa e tepruar në të drejtën e saj për të patur gjithçka, deri në tjetërsim të natyrës. Ndërsa i mbështetur në murin harkor të pusit populli pret shtrirë buzë vrarë dhe jo tharë të shuajë etjen..

Dhe pse fjala therëse dhe kuptim plotë për të “të enjten shqiptare” si ditë komike dhe e dhembshur për çfarë dëgjon, kur pret tjetër gjë, të njeriut që përfaqëson jo një shtet si Amerika, por “globalizmin”si frymë dhe atmosferë e ardhur nga një shtet-atdhe i tillë, ne sërish e ripërtypëm veten duke pranuar të mllaçitim një gjellë të gatuar mbi dhembje dhe fatkeqësi nga natyrore dhe njerëzore. Por Ne, ata flasin të tillë. Ata shahen, urrehen, mallkojnë, u hakërrehen njëri-tjetrit, kur në lajme nga kjo “zënkë” jehonash dy vetë vriten, nëna mohon duke vrarë vajzën, dikush depresohet deri në flijim, dhe një “Shqipëri Tjetër” duket se do ketë rrugëtim shekullor për nga gjëmat e tragjedive, të cilat ky popull po i mban në hallet e mëdha si bukën e përditshme.

Ka dy lloj mënyrash për të pastruar veten estetikisht.Është arti komik dhe ai tragjik. Dhe pse termi katarsis, është përpjekur të jetë menu, servirje deri në lutje në jetën politike-shoqërore të këtyre dy dekadave, duket se jo vetëm nuk e ka gjetur “atdheun” e vet tek ne, por duket se është ndjerë i huaj. Sepse ne nuk duam të pastrohemi, as dhe të t’i rrëfehemi vetevetes.Sepse ne të keqen e shumojmë mbi këtë popull, e kështu çdo përpjekje e tij si një tragjedi-komedi dhe komedi-tragjedi e grevë – protestës është fatkeqësisht një ndërgjegje vetmitare.Qoftë dhe kur përkrahet nga opozita e sotme ose ish opozita e djeshme në raste të tilla. Madje dhe kur u marshua dikur nga qielli kondaminuar me lot Gërdeci, të gjithë besuan se pas mbajtjes së flamurit tonë kombëtar nga opozita e atëhershme, u besua se një pelegrinazh kaq simbolik, nuk do e zhgënjente një gjykim të drejtë mbi një krim kolektiv dhe pse gjeografikisht kishim të bënim mbi një “fshat”.As dhe kur pas gurëve dhe protestës me prirje turme më 21 janar, të shtënat ishin dobësi e cila buronte nga një mandat si besueshmëria e OJQ-ve.Ashtu siç u mor dhe një bashki, e cila u pa si betejë për një kështjellë…

Ashtu si dhe greva e tendave të bardha të qeverisjes së sotme në ish opozitë të së djeshmes, ku pas një ngjyre të bardhë u krijua bindja se një protestë e tillë dukej si katarsis në prag të Vitit të Ri, në përkrahje të të varfëve…E mbi të gjitha!…Dora-pëllëmbë e kryeministrit Rama vënë mbi gurët e bronztë të “21 janarit” mbi trotuar, duket se simbolika e tyre  ka nisur të mjegullohet nga re pluhuri, e kjo, jo për një mos qëllim dhe mbajtje fjale, por përtej të gjithë pëllëmbëve të një populli që ka ditur dhe të protestojë, por kurrë mbi një protestë me sloganin “Një gjyqësor i padrejtë është jo varfëri në liri, por skamje e saj”!Dhe skamja për Dostojevskin është fëlliqësi.Kështu në rastin tonë, me fëlliqësi kuptojmë injektimin e një shoqërie, e cila duke pranuar të politizuarin e gjithçkaje, e ka bërë pushtetin gjyqësor si parzmore jo të vetes, por të tij.Platoni në librin “Republika” shprehet: “Shkalla më e lartë e padrejtësisë është kur dukesh i drejtë, kur nuk je i tillë”.

Për të vënë në pah, se këto të enjte janë alibi për të mos u përballur qoftë me gabimin dhe ndjesën më të pranueshme nga të dyja palët, pushteti që mbretëron më në paqe me çdo padrejtësi të “formës” së prerë mbetet gjyqësori.Sepse Platoni citon: “Perëndia shpik një shkak, kur ka ndërmend të shkatërrojë një shtëpi”. Pra, mjafton një figurë e tillë platoniane që të kuptojmë shkakun e të enjteve…Është ish pushteti dhe tani qeverisja e misionit të integrimit, të cilët ecin si dy rrota,që duken se rrugëtojnë në kahe të kundërt, pra me “shpinë”.Por çiklisti mbi to mbetet populli.

Kështu, i takon popullit, e jo sovranit , shprehje kjo për t’ i bërë qejfin me një cilësim kaq pan kulturor dhe të pushtetshëm as dhe simbolikisht, që jo të zbresë, por të paktën të përkulet si çiklist, i cili e prek finishin jo me rrotën, por me një trup tërësisht të përkulur mbi biçikletë, ku hija e tij e arrin fitoren, e jo prekja e rrotave. E nëse ka ndërmend të pranojë t’i “shembet” shtëpia, pra e drejta e jetës, le ta përplasë diku këtë biçikletë, ku të enjtet t’i “ndëshkojë” si ditë që duhet ecur në këmbë…

Ashtu siç theu “gjunjët” dhe një kandër në bregdet…Ndërsa tani “greva” reale po ndodh çdo të enjte në Parlament.Por dallimi mes një greve grevë dhe grevë parlamenti ka të bëjë me kujdesin shendetësor… Politikanët “tresin” gabimet duke jashtëqitur krimet,( dhe për mua krim do të thotë të mos jesh i drejtë dhe ndoshta dhe pakëz i ndershëm me një shoqëri, e cila ndihet e tradhëtuar nga idealet e saj europiane.Sepse ky popull e tregoi se cila është e drejta e tij më e besueshme, kur nisi të udhëtoi pa viza…udhëtoi dhe kontinenti i vjetër i mirëpriti besueshëm pa dyshuar në motivin e tyre për ta admiruar ligjin), e më pas vijnë në sallë të “paprekshëm” nga asnjë infeksion dhe aromë djerse…Ata vijnë si ligjvënës, të vetë zgjedhur!Fakti se në asnjë debat i enjtur si e enjtja nuk shohim gjëkundi kujdes shëndetësor, na duhet të kuptojmë se pas çdo beteje oratorike, kemi një popull “duar prerë” si Cicëroni… Nëse do citonin Cvajgun ai thotë: “Vetëm fatkeqësia e thellon dhe zgjeron njohjen e botës reale”.Por kur asnjë politikan deri më tani, “fatkeqësia” e ndëshkueshmërisë s’i ka mbërritur as si ftesë për të dëshmuar, atëherë kjo komedi e së enjtes është realisht tragjedia jonë!

Pushtetet nuk i duan njerëzit të cilët i kritikojnë.Natyra despotike e tyre nuk i duron dot këshilltarët, të mençurit realë.Në rastin tonë, çdo deputet ngjan me një despot, sepse imiton liderin e tij.Dhe pse e din se kurrë nuk mund t’i ngjajë në post, ai e kopjon deri në sozi! Ç’shëmti!

Debat apo fjalor mejhanesh? Gjynah që profecia e Konicës ia del të lë në harrëse një mrekulli kulturore noliane!…Kur dija dhe intelektualizmi kërkon të bëjë njeriun e “fortë” siç e përdorim si zhargon në jetën e përditshme, tani dhe në Parlament ,atëherë na takon të themi, se të tillë njerëz nuk mund të mbajnë asnjë premtim.Ndërsa kur njeriu i vetë quajtur i tillë, pra i fortë ka dhe mirëqenien e dijes si të blerë, atëherë çdo shoqëri do jetë e trishtë dhe e viktimizuar.

Presim të prekim statusin dhe urrejmë sikur do hyjmë në Europë si “ngujues” gjaku…Presim!Ç’fatkeqësi, kur në Parlament ka njerëz dhe me kulturë, por realiteti i ka edukuar keq, deri në keqbërës.Ose vetë ata e deformuan këtë realitet, sepse kuptuan dobësinë e tij, vetminë!Gjithsesi, ndoshta të enjtet e mbetura, të paktën nga njëra palë, dhe këtu i takon qeverisjes ta bëjë këtë lëshim, do ishte “integrimi” jo politik, sesa të paktën etik! Ndoshta dhe nëse opinioni publik do e merrte këtë si “dobësi”, sjellja e qeverisjes do ishte realisht jo thyerje, por ngritje morale e një politike ku të bërit politikë me kulturë do merrej si një trokitje e Jona në derën e Europës, ku nuk do na dalë “shërbëtori” i saj të na presë!… Dhe pse çdo të quajture lobing, e përdorim për palën kundërshtare, si të ishte një relike antike e vlerë dikur  ne nuk kemi ndrojtjen ta dhurojmë si një akt mikpritje miqve të dikurshëm, kur në fakt është një shitje e vetvetes.

Marrë nga  – http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=48930&kat=92