Frikë dhe panik në Romë. Një pjesë rruge është shembur për shkak të punimeve që po kryheshin dhe 8 makina janë “gëlltitur” nga gropa e thellë që është hapur.
E gjithë zona është rrethuar nga shiritat e sigurisë, ndërsa në vendngjarje ndodhen zjarrfikësit dhe përfaqësues të bashkisë, raporton Il Messaggero.
Banorët e dy pallateve janë evakuuar, për të evituar tragjedi të mundshme. Për momentin nuk ka persona të lënduar, por janë duke u kryer matjet në terren, për të verifikuar nëse mund të ketë sërish rrëshqitje toke.
Në zonë, një kompani ndërtimi po ndërtonte disa apartamente. Banorët kishin njoftuar edhe më parë për çarje të asfaltit dhe zhurma të dyshimta. Të parat që u shembën ishin rrethueset e kantierit të ndërtimit.