“Duhet treguar kujdes i madh në orët dhe ditët në vijim, pasi në këto zona shpesh tërmetet e fortë shoqërohen nga një tjetër lëkundje sizmike e forte, në të njëjtin vend si herën e parë”.

Deklarata tronditëse vjen nga një prej ekspertëve europianë më të mirë të sizmiologjisë dhe njëkohësisht ish presidenti i Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, Enzo Boschi.

Sipas tij, nuk duhet që njerëzit të futen në shtëpitë apo ndërtesat që kanë mbetur në këmbë nga tërmeti i orëve të para të së mërkurës, pa u bërë më parë një kontroll teknik nga ana e ekspertëve të Mbrojtjes Civile.

Eksperti i referohet tërmetit të disa viteve më parë në rajonin italian të Emilia Romagna-s, kur pjesa më e madhe e viktimave u regjistrua nga lëkundja e dytë sizmike, që pasoi tërmetin e parë, pasi njerëzit u futën në ndërtesat që ende nuk ishin kontrolluar për fortësinë e strukturës së tyre.

Boschi thotë se zona ku u regjistrua lëkundja e fortë sizmike dhe të tjerat që e pasuan është identifikuar si zona me aktivitetin më të lartë sizmik në Itali.

Sipas sizmiologëve, rreth 300 tërmete janë regjistruar në Italinë qendrore, që nga tërmeti i parë i orës 3.36 të mëngjesit të sotëm.

Ndërkohë 39 prej lëkundjeve janë me manjitudë 3 ballë dhe më shumë.