Një 50-vjeçar nga Durrësi ka akuzuar para efektivëve të policisë së Durrësit një 29-vjeçare, po nga Durrësi, si autoren e vjedhjes së kryer në banesën e tij.

Në njoftimin e policisë, bëhet me dije se shtetasi C.S. ka denoncuar vjedhjen e një telefoni celular, dy orë dore dhe sende të tjera personale në shtëpinë e tij nga 29-vjeçarja E.A.

50-vjeçari ka drejtuar gishtin nga vajza, së cilës, në cilësinë e provës materiale, iu bllokua telefoni celular, që kishte vjedhur në banesën e 50-vjeçarit.

Ndërkohë, policia nuk jep detaje më të hollësishme mbi raportin që mund të ekzistojë mes 29-vjeçares dhe shtetasit C.S. dhe arsyen sepse ajo i vodhi sendet personale.

Gjithsesi duket se 50-vjeçari e njihte vajzën e re, përderisa nuk ka nguruar të drejtojë gishtin ndaj saj dhe ta denoncojë në polici.

Çështja i ka kaluar tashmë Prokurorisë së Durrësit, që e akuzon 29-vjeçaren për vjedhje.