Që nga dita e djeshme, anija shkollë “Palinuro” është ankoruar në kalatën nr.2 të portit të Durrësit dhe është e hapur për publikun.
Anija shkollë e marinës italiane ka në bordin e saj studentët e vitit të 2° të kursit për marshall në kategorinë e timonierëve të Shkollës së Nënoficerëve të Taranto-s. Ajo pason vizitën e anijes tjetër shkollë ‘Amerigo Vespucci”, që në tetor 2023 qëndroi 3 ditë në portin më të madh në vend.
“Jemi duke trajnuar studentët tanë të detarisë të shkollës “Francesco Morosini”si dhe ata të vitit të 2° të kursit për marshall, në kategorinë e timonierëve. Meqë trajnimi po kryhet në detin Adriatik menduam se ishte një mundësi shumë e mirë të ndaleshim në Durrës, për t’u prezantuar qytetarëve durrsakë anijen tonë. Në bord kemi aktualisht 13 studentë, por numri i tyre varion nga 10 deri në rreth 60 studentë, që trajnohen për një periudhë të caktuar në anije”, deklaroi kapiteni i anijes, Samuele Mondino.
Anija shkollë, e prodhuar në një kantier francez në vitin 1934 ka mbushur 90 vite jetë. Ajo u ble në vitin 1950 nga Marina Italiane për të zëvendësuar anijen tjetër shkollë “Cristoforo Colombo”, e cila iu dha Bashkimit Sovjetik, pas Luftës II Botërore. Në vitet e para të jetës së saj, “Palinuro” ka shërbyer si peshkarexhë në Francë dhe më pas u adaptua si anije shkollë në kantieret italiane.
Interesin më të madh për ta parë nga afër anijen e shfaqën sot shtetasit e huaj, që ndodhen në Durrës.
“Kam punuar 8 vite në Marinë, i njoh shumë mirë anijet. Banoj këtu dhe erdhëm ta shohim”,- thotë një shtetas italian.
“Morëm vesh në internet për ardhjen e anijes dhe erdhëm ta shohim. Të dy gjyshërit e djalit tim kanë qenë oficerë dhe ai donte me patjetër një vizitë në anije. Qenka fantastike, e pabesueshme”,– rrëfen një shtetas nga Ukraina, që ndodhet prej disa muajsh në qytetin bregdetar.
Anija shkollë “Palinuro” do të jetë e hapur për publikun deri të enjten në orën 11.30, ndërsa më pas do të nisë udhëtimin drejt Italisë, e më saktësisht Mesinës.
M.B.