DURRËS, 8 korrik 2015 – Humbja katastrofike e opozitës në tri bashkitë e mëdha ka risjellë dhe njëfarë monizmi të ri në Këshillin e Qarkut, dukuri që e kishim harruar që nga viti 1990.
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 në Durrës, Shijak dhe Krujë shkaktuan një shpartallim të dyfishtë të koalicionit të djathtë, si në mazhoritar (kryetarët e bashkive), ashtu dhe proporcional (këshillat). E majta kontrollon “parlamentet” vendore, gjë që do të thotë se ajo ka të drejtën e zgjedhjes dhe të “baballarëve” të Qarkut, thotë për “Dyrrah”-un një nga personalitetet prej 25 vjetësh në krye të degës së PD-së Durrës.
Pavarësisht kompetencave apo rregullimeve ligjore për këtë hallkë të pushtetit vendor, fakt është se për herë të parë në Durrësin paskomunist nuk do të ketë më përfaqësues të opozitës në Këshillin e Qarkut. Kështu mund të ndodhë dhe në disa qarqe të tjera, ku ka fituar koalicioni i majtë.
Neo-monizmi befasues duhet të shqetësojë më shumë fitimtarët sesa opozitën. Në fund të fundit, qeveria qendrore, Kuvendi i Shqipërisë, partitë e koalicionit nuk duhet të lejojnë prekjen e shtyllës së demokracisë: pluralizmit. Pavarësisht nga vota e sovranit, pushtetit në Tiranë, Durrës e gjetiu i duhet oponenca për çdo vendim që do të ndërmerret. PD and Co le të nxjerrin mësimet e duhura nga disfata, por PS-së dhe LSI-së, që u ka ngecur në dorë neo-monizmi, i duhet të përballojë dukurinë.
Dy janë rrugët për ndreqjen e këtij recidivi. Së pari, koalicioni i majtë në Durrës, Shijak e Krujë, me mirëkuptim, duhet t’u japë, në “tavolinë”, sadisfaksion humbësve (diskriminim pozitiv), duke zgjedhur nga këshillat bashkiakë një deri në dy përfaqësues të opozitës për qarkun.
Së dyti, Kuvendi i Shqipërisë duhet të bëjë amendament në ligj edhe për situatën e paparashikuar, kur Këshilli i Qarkut mbetet pa opozitë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/