Angli, 22 qershor 2014 – Babai i tërbuar i një studenti të shkëlqyer të mjekësisë, që shkoi për të luftuar në Irak krah militantëve të ISIS, tha se i ka hedhur në kosh të gjithë fotot e të birit.

Nasser Muthana, 20 vjeç, doli në një video rekrutimi për xhihadin, duke u bërë thirrje të rinjve që t’u bashkohen.

Ai udhëtoi fshehurazi drejt Sirisë, së bashku me vëllanë 17- vjeçar.

Babai i tij, Ahmet Muthana, 57 vjeç, tha se nëse fëmijët e tij kthehen ndonjëherë në Britani, do donte t’i shihte në burg.

“Djemtë e mi kanë tradhtuar familjen dhe Britaninë,” tha ai, duke shtuar se i ka hedhur fotot e djemve në kosh “sepse nuk mund të mbash djallin në shtëpi”.

“I kam rritur me dashuri dhe respekt për vendin tim, që është Britania.

Jam babai i tij dhe jam i shqetësuar për sigurinë e tij. Por jam më i shqetësuar për mesazhet djallëzore që shpërndan ai me këtë video. Jam i shqetësuar se djem të tjerë do e ndjekin”.

Ai tha se djemve të tij u kanë bërë lavazh truri që kur nisën të falen në një tjetër xhami.

“Ata nuk më përfaqësojnë mua tani dhe nuk dua t’i shoh më,” tha ai.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/