Vera Çela, bashkëshortja e ish-deputetit të Durrësit, Nevruz Çela i cili u nda nga jeta pak ditë më parë për shkak të Covid-19, ka falenderuar të gjithë bashkëqytetarët për mesazhet e tyre ngushëlluese për humbjen e saj të madhe.
“E kam ndjerë dashurinë dhe afërsinë tuaj në këto katër ditë të vështira, kur kisha nevojë më shumë se kurrë për ju të gjithë. Jo vetëm unë por dhe fëmijët e mi, fëmijët e Vuçit.”, shprehet ajo për “DurrësLajm”.
Ndërsa flet dhimbjen e madhe që ndjen për ikjen pa kthim të bashkëshortit, të cilin e thërriste Vuçi, Vera tregon më shumë për shokun e saj të jetës prej 55 vitesh, si njeri, si mik, si shok, si baba, si rrugëtar jete.
REAGIMI I PLOTË
F A L E N D E R I M
Me zemër dhe me shpirt, për ju që m’u ndodhet pranë me ngushëllimet e drejtuara, për ndarjen nga jeta të bashkëshortit tim të paharruar Nevruz Çela Të nderuar bashkëqytetarët e mi të shtrenjtë durrsakë! Ngjarja e hidhur që tronditi familjen tonë, ju ka tronditur të gjithëve. E kam ndjerë dashurinë dhe afërsinë tuaj në këto katër ditë të vështira, kur kisha nevojë më shumë se kurrë për ju të gjithë. Jo vetëm unë por dhe fëmijët e mi, fëmijët e Vuçit. Ne jemi të gjithë larg njëri –tjetrit, siç e solli koha. Ju qanit bashkë me mua në telefon, por dhe me mesazhe. Na ka dhëmbur të gjithëve , ne qe kemi jetuar e ju që keni punuar me Vuçin, por dhe atyre që Vuçi me sa ka mundur, i ka ndihmuar. Vuçin e njihnin dhe e donin të gjithë për vlerat e tij si njeri, si mik, si shok, si baba, si bashkëshort. Vuçi jetimi 11-muajsh, mbajti në kurriz nofkën e “tradhëtarit të popullit”, por durrsakët nuk e braktisën dhe i qëndruan pranë. Edhe në varfërinë e familjes së tij, ndjehej ndihma dhe dashuria durrsake. Dhe për këtë, ju ka qënë gjithë jetën mirënjohës! Vuçin e deshi dhe e nderoi e gjithë ORMN-ja. Ai ishte xheneriku i diplomuar në matematikë, por që u bë një me puntorët, që vazhdonte të thoshte deri në ditët e tij të fundit, sa herë takohej me ndonjë prej tyre : “kemi ndarë copën e bukës…”.Vuçi me zemër të madhe vuante e gëzonte, vuajtjen dhe gëzimet e të tjerëve. Durrësi e ka ndjerë më së miri këtë. Janë fjalët tuaja, që burojnë nga zemra dhe arrijnë në veshët e mi në këto ditë të hidhura, fjalë që më bëjnë krenare për shokun tim të jetës prej 55-vitesh. Vuçi ishte aktiv, i palodhur, si ndahej biçikletës por as librit asnjë ditë. Por fati i keq na ndau para kohe. Dua t‘ju falenderoj me gjithë zëmër, sepse është hera e dytë që e ndjej fuqishëm dashurinë dhe respektin tuaj për familjen tonë. Herën e parë…. kur Renit i doli e drejta e studimit. Edhe Renin e njihte i gjithë Durrësi i para 30-vjetëve. E njihnin për vlerat e tij. Kishin mbajtur frymën të gjithë, deri ditën kur u bënë të njohura listat e studentëve të ardhshëm. Dhe atë ditë Reni ka thënë se.: “nuk e di kush me puthi, e cilën putha gjatë gjithë rrugës…”nga shkolla deri në shtëpi! Atëherë për urim, por edhe tani për ngushëllim! Durrësi po ndan dhimbjen tonë për Vuçin e mirë, fisnik, qytetar të ndershëm, për Vuçin e mënçur, për Vuçin që lëshonte aq shumë mirësi por…. që na la! Nuk gjej fjalë t’ju falenderoj. Uroj t’jua shpërblej për të mira në familjet tuaja! Vuçi duhet që të gjej fjalën e duhur ……, por ai nuk është më as për mua, as për fëmijët e mi, as për ju. Pra do ta mbyll këtu! Ju falenderova nga zëmra, por është pak, për aq sa po marr nga ju..! Nderim të gjithëve ..! Vera e Vuçit, apo Zysh Vera! Durrës: 4 nëntor 2020