Policia e Vlorës ka sekuestruar një makinë tip “BMW X5” të mbushur plot me drogë, ndërsa është vënë në kërkim të shoferit, i cili braktisi mjetin bashkë me lëndën narkotike, pasi kuptoi që po e ndiqnin uniformat blu.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në Vlorë automjeti tip “BMW X5” dyshohej se po transportonte lëndë narkotike, menjëherë janë vënë në ndjekje të këtij automjeti. Drejtuesi i mjetit kur ka parë se po ndiqej nga policia ka rritur shpejtësinë dhe në një rrugë rurale pranë fshatit Sherisht ka braktisur automjetin së bashku me lëndën narkotike dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të automjetit, janë gjetur 13 pako të mëdha të mbështjella me letër natriban me peshë totale prej 215 kilogramë kanabis.

Policia ka shpallur në kërkim autorin, por për arsye hetimi, identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Po punohet gjithashtu edhe për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.