Tiranë, 25 qershor 2014 – Tashmë shuhen të gjitha dyshimet. Mbrojtësi i Bazelit, Taulant Xhaka zyrtarisht mund të konsiderohet lojtar i kombëtares së Shqipërisë, për të cilën ka zgjedhur të luajë. Sot në mesditë, ka mbërritur në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit përgjigja e FIFA-s, në lidhje me aktivizimin e tij për ngjyrat kuqezi.
Tashmë, ai mund të aktivizohet në çdo moment nga trajneri Xhani De Biazi. Përgjigja zyrtare e FIFA-s ishte e domosdoshme për aktivizimin e lojtarit, i cili më parë ka luajtur për ekipet e moshave të Zvicrës, deri në nivelin e U-21. Më pas, ai ka zgjedhur Shqipërinë, por për të luajtur kërkohej aprovimi i FIFA-s.
Taulant Xhaka ka lindur më 28 mars 1991 në Bazel të Zvicrës. Është i gjatë 1.72 m dhe luan në rolin e mbrojtësit. Ekipi aktual i tij është Bazeli në Zicër. Ai mund të quhet një përforcim ideal për ekipin tonë Kombëtar.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





