E kuqe, e bardhë apo e verdhë: çfarë tregon ngjyra e gjuhës për shëndetin tënd
Sipas ekspertëve, forma, ngjyra dhe tekstura e gjuhës mund të japin informacion të rëndësishëm për gjendjen e shëndetit.
Gjuha jonë, përveçse është një organ i rëndësishëm i trupit, mund të zbulojë sinjale të ndryshme për shëndetin, të mira apo problematike, sipas Yanfang Ren, profesor në Eastman Institute for Oral Health në Universitetin e Rochester.
Në mjekësinë tradicionale kineze, për shembull, pjesë të ndryshme të gjuhës lidhen me organe të ndryshme të trupit. Forma, ngjyra dhe tekstura e saj mund të japin tregues të vlefshëm për gjendjen shëndetësore.
“Gjuha është shumë e rëndësishme për funksionet jetësore. Ajo na ndihmon të gëlltisim, të marrim frymë dhe të flasim.” Por a mund të tregojë realisht gjendjen e shëndetit?
Si duket një gjuhë e shëndetshme
Nuk ka një pamje të vetme për gjuhën. Ajo ndryshon nga personi në person. Në përgjithësi, ngjyra varion nga rozë e hapur deri në të kuqe të errët, me një shtresë të hollë të bardhë sipër.
Sipërfaqja e gjuhës ka gunga të vogla të quajtura papila, të cilat përmbajnë receptorët e shijes.
Ekspertët këshillojnë ta kontrollosh herë pas here në pasqyrë për të kuptuar si duket normalisht. Nëse vëren ndryshime të mëdha, duhet të konsultohesh me mjekun ose dentistin.
Ndryshimet më të zakonshme që duhen vërejtur
Një gjuhë shumë e kuqe, e njohur edhe si “gjuha luleshtrydhe”, sidomos nëse ka sipërfaqe jo të rregullt, mund të lidhet me alergji, sëmundjen Kawasaki, sindromën e shokut toksik, skarlatinë apo mungesë të vitaminës B12.
Njollat e bardha mund të tregojnë infeksione nga kërpudhat, të zakonshme tek foshnjat, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët. Nëse janë të trasha dhe nuk hiqen lehtë, mund të jenë shenjë e leukoplakisë, një gjendje që ndonjëherë konsiderohet pararendëse e problemeve më serioze.
Një shtresë e verdhë ose jeshile në gjuhë zakonisht lidhet me higjienë të dobët orale dhe është më e shpeshtë tek duhanpirësit.
Mund të shkaktohen nga dëmtime në gojë, stres, ndryshime hormonale apo alergji ushqimore. Në disa raste lidhen edhe me sëmundje autoimune si Crohn apo celiakia.
Gjuha mund të marrë ngjyrë të zezë ose kafe të errët kur papilat nuk pastrohen rregullisht dhe grumbullojnë baktere dhe mbetje. Kjo gjendje quhet “gjuha e zezë me qime” dhe shfaqet më shpesh tek personat me imunitet të dobët.
Si ta mbash gjuhën të shëndetshme
Gjuha shpesh neglizhohet, por nuk kërkon shumë kujdes të veçantë. Mjafton larja e dhëmbëve dy herë në ditë për rreth dy minuta për të mbajtur edhe gjuhën të pastër dhe të shëndetshme.





