Një 43-vjeçar shqiptar, i dënuar me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e një fermeri në Shqipëri, ka mundur të shfrytëzojë lirinë me kusht për t’u zhdukur.
Hektor Mahmutaj, 43 vjeç, ka hyrë në Britaninë e Madhe i fshehur në një kamion, ndërkohë që në Shqipëri ka një dënim në mungesë për vrasje. Në tetor të vitit të kaluar, gjykatësi Tan Ikram vendosi që ai të ekstradohej në Shqipëri. Pavarësisht se Mahmutaj kishte një sërë dënimesh në ishull, përfshi për zotërim armësh zjarri, ai u lirua me kusht.
Duke qenë një shtetas jo i Bashkimit Europian, ai iu referua një tjetër gjykatësi për vendimin final, i cili la në fuqi vendimin në fund të vitit të kaluar, duke i hapur rrugë kështu ekstradimit.
Por, tabloidët britanikë raportojnë tashmë se Mahmutaj ka shkelur lirinë me kusht dhe është arratisur. Vendndodhja e tij nuk dihet. I dënuari për vrasje mohon akuzat, por ndërkohë nëse ekstradohet në Shqipëri do të rigjykohet për shkak se gjyqi i tij fillestar është kryer në mungesë.





