Itali, 19 mars 2014 – Një 17 vjeçar i acaruar në kulm, sepse nuk kishte arritur të kapte autobuzin, e ka ndjekur mjetin publik dhe pasi ka thyer xhamin e dyfishtë, ka goditur me shkelma e grushta shoferin duke i shkaktuar hematoma të shumta në fytyrë.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në Cesena (Forli), mbrëmjen e 18 marsit. Duket se ka qenë fakti që autobuzi u nis pa e pritur atë, arsyeja që ka shkaktuar reagimin tepër agresiv të të riut, që gjithë furinë e inatit të tij e ka shfryrë tek shoferi që e la në këmbë.

I riu është ndaluar menjëherë nga forcat e rendit dhë ndaj tij janë ngritur një sërë akuzash si plagosje e rëndë, dëmtim dhe pengim i trafikut. Ndërkohë shoferi i rrahur “paq” do t’i nënshtrohet në ditët në vijim një operacioni për të mbyllur plagët e shkaktuara në fytyrë nga dhuna ekstreme e të riut.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/