Që nga korriku i vitit të kaluar, Vjollca – emër i vendosur nga Radio Evropa e Lirë është transformuar. Me gjithë faqet më të rrumbullakosura e flokët e lyera, ajo që e ka ndryshuar pamjen e saj më shumë, është buzëqeshja që më parë i mungonte.
“Prej dhunës në qetësi shpirtërore. Më është dukur që kam lindur për së dyti. Të largohesha prej një ambienti toksik e të vija në një ambient të qetë… Nuk e kam besuar që mund të ndodhë”, thotë Vjollca për Radion Evropa e Lirë.
Vjollca kishte përjetuar dhunë fizikë e psikike për më shumë se 15 vjet nga ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij. Edhe pas raportimit të dhunës në familje, ajo ishte detyruar të kthehej në shtëpinë e ish-bashkëshortit.
E papunësuar, me vetëm shkollën fillore të përfunduar dhe pa ndonjë pronë në emër të saj, Vjollca e kishte të pamundur të mbijetonte e vetme.
“Kam duruar e kam jetuar atje [në shtëpinë e ish-bashkëshortit] qysh kam mundur. Trashëgimi prej babait nuk kam, s’e kam menduar largimin as si opsion, se s’kam pasur ku të shkoj”, thotë ajo.
Vitin e kaluar, Vjollca mori vesh se mund të aplikonte për ndihmë financiare në Komunën e Prishtinës, me të cilën mund ta paguante qiranë e një banese dhe t’i përballonte disa shpenzime përderisa kërkonte punë.
Përkundër frikës, ajo thotë se vendosi të rrezikonte.
“I kam mbushur të gjitha dokumentet edhe e mora ndihmën. Në fillim nuk më besohej. S’e kuptoja se si ia arrita se s’kam pasur kurrë para në dorë. Në fillim kisha frikë, por tani jam bërë ekonomiste dhe po ia dal disi”, thotë Vjollca.
Edhe me dy punët që mban, si shitëse në dyqan dhe pastruese shtëpish, Vjollca nuk arrin t’i përballojë shpenzimet për të katër fëmijët e saj. Për këtë arsye ajo jeton vetëm me vajzën e saj të vogël, ndërsa fëmijët e tjerë i mban babai i tyre.
“Unë s’e kam problem, punoj sa të mundem. Jam duke i mbajtur dy punë vetëm sa për t’i përmbushur të gjitha nevojat”, thotë ajo.
Bashkë me Vjollcën, gjatë vitit të kaluar, edhe 22 gra të tjera përfituan nga ndihmat financiare të Komunës së Prishtinës për të mbijetuarit e dhunës në familje.
Ndihmat deri në 500 euro në muaj – nga 250 euro për qira, 150 euro si ndihmë financiare dhe deri në 100 euro për fëmijë – janë të kufizuara vetëm për banorët e Prishtinës, të cilët e raportojnë dhunën në familje dhe aplikojnë për urdhër mbrojtjeje nga dhunuesi.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, tregon se edhe këtë vit ka shumë gra që kanë aplikuar për t’i marrë këto ndihma.
“Kemi parë raste, të cilave u është ndryshuar jeta për të mirë dhe sigurisht që ato gra tash kanë rinisur jetën e tyre, kanë filluar të pavarësohen dhe nuk janë të detyruara të kthehen te dhunuesi kur t’iu përfundojë urdhri i mbrojtjes”, thotë Sahiti për REL-in.
Ndihmat financiare u ndahen të mbijetuarve të dhunës në familje për një periudhë nga gjashtë muaj deri në dy vjet.
Por, Sahiti thotë se përmes kurseve të ndryshme për aftësim profesional, ata shpresojnë që përfituesit e ndihmave do të fitojnë pavarësim financiar përtej periudhës së ndihmës financiare.
“Në mënyrë që të pavarësojmë sa më shumë gra, që ato të riintegrohen në shoqëri duke qenë të zonjat e vetes, ne ofrojmë programe konkrete, kurse, trajnime dhe i ndihmojnë t’i hapin bizneset e tyre”, shton Sahiti.
Sipas të dhënave të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, vetëm rreth 18 për qind e bizneseve në Kosovë zotërohen nga gratë. Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga tremujori i dytë i vitit 2023, vetëm rreth 19 për qind e grave në Kosovë janë të punësuara.
Në Pejë, tash e 25 vjet, aktivistja Ardita Bala po e lufton dhunën në baza gjinore duke punuar pikërisht për pavarësimin financiar të grave.
Menjëherë pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ajo e hapi Qendrën e Mirëqenies së Gruas në Pejë.
Shtëpia katërkatëshe e kësaj qendre strehon gra e fëmijë që i kanë mbijetuar dhunës në familje e që nuk kanë se si të sigurojnë jetesë, përveçse të drejtohen te kjo qendër.
“Ideja është që ne nuk e lëmë askënd në rrugë. Jemi aty dhe i përkrahim për çkado që kanë nevojë. Ato vetë mund të vendosin se çfarë duan të bëjnë, por ne ofrojmë mundësi”, thotë Bala për Radion Evropa e Lirë.
Ndër vite, Bala vërejti se pothuajse çdo grua që strehohej aty, më vonë kthehej te shtëpia e dhunuesit.
Arsyeja ishte e thjeshtë: ato nuk kishin asnjë opsion tjetër.
Pa pronë në emër të tyre, pa vend pune, s’mund t’ia dilnin të vetme, veçanërisht kur nga to vareshin edhe fëmijë.
Por, duke i aftësuar gratë që strehohen në qendër në disa profesione, si: rrobaqepësi, përpunim i letrës, bletari, floktari, kuzhinieri, kjo qendër ka më shumë se dhjetë vjet që i ndihmon ato të gjejnë një vend pune që të mund ta përballojnë jetesën në banesa me qira.
“Pasi një grua gjen një punë, atëherë ne e mbajmë në qendër edhe rreth 2-3 muaj, derisa të grumbullojë rreth 1.000 euro. Pastaj, mund të dalë, ta paguajë qiranë, ta paguajë ushqimin dhe kështu të jetojë më e qetë”, thotë Bala.
Aktivistja për të drejtat e grave, Valmira Rashiti, kërkon që fuqizimi ekonomik i grave të nisë shumë më herët, qysh brenda familjeve.
Gjithçka duhet të nisë me trashëgim të barabartë të pronave mes fëmijëve, thotë ajo, pavarësisht gjinisë.
“Kur rrisim vajza dhe i lëmë pa prona, shoqëria po ua përcakton atyre një fat të tillë që të rrinë në martesa apo lidhje abuzive, për shkak se ato nuk kanë pasuri apo pronë që të mund të ikin jashtë atij rrethi vicioz e abuziv”, thotë Rashiti për REL-in.
Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, as një e pesta e pronave në Kosovë nuk zotërohen nga gratë.
Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti u raportuan 698 raste të dhunës në familje. Në më shumë se 75 për qind të tyre, viktimat ishin gra.
Në vitin 2019, një anketë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjeti se 57 për qind e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale.
Sipas kësaj ankete, më të cenueshme ndaj dhunës në familje ishin veçanërisht gratë që jetonin në zona rurale, kishin nivele të ulëta arsimimi dhe nuk kishin pavarësi financiare.
Vitin e kaluar, Indeksi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e listoi Kosovën si vendin e dytë në Evropë me kushtet më të këqija të jetesës për gratë, menjëherë pas Ukrainës. Nga gjithsej 177 vende në këtë listë, Kosova u radhit e 100-ta./REL
Rashiti sheh disa opsione se si të përmirësohet kjo gjendje. Si zgjidhje afatshkurta përmend iniciativat qeveritare, si aplikimi i lehtësimeve për regjistrimin e pronave në emër të grave, ndërsa zgjidhja afatgjate duhet të burojë nga sistemi arsimor, thotë ajo.
“Kemi kërkuar disa herë që të ndërrohen, të rishikohen tekstet shkollore për të parë se në çfarë rolesh paraqiten gratë dhe burrat në ato tekste shkollore. A paraqiten vajzat si të denja për trashëgimi?”, pyetet Rashiti.
Për Vjollcën, mbyllja e ciklit të dhunës ka përfshirë edhe rikthimin e saj në sistemin e arsimit. Edhe pse në të 30-tat e saj, Vjollca pret që së shpejti të marrë diplomën e shkollës së mesme dhe ëndërron se si t’i vazhdojë studimet edhe më tutje.
“Dua të aftësohem, ta kem një të ardhme. Po e provoj fatin. Por, nuk ia mbaj askujt të fshehtë të kaluarën. Jam krenare që i kam fëmijët, jam krenare që e kam raportuar dhunën në familje dhe jam krenare nëse kam ndihmuar edhe ndonjë grua tjetër”, përfundon ajo./REL