Nëse e lini makinën në rrugë për 15 ditë rresht pa e lëvizur, atëherë rrezikoi që t’jua bllokojnë. Është ky aksioni i nisur nga Policia Bashkiake e Tiranës dhe Policia Rrugore, i cili synon heqjen nga rruga të makinave të braktisura.

Por si do bëhet bllokimi i makinave?

Nëse punonjësit e Policisë konstatojnë makinën në rrugë për më shumë se 15 ditë pa lëvizur, atëherë ju lënë një njoftim te xhami që keni edhe 15 ditë të tjera afat për ta lëvizur.

Në rast të kundërt atëherë makina bllokohet dhe merret me karrotrec nga Policia Rrugore. Ditën e sotme oficerët e Policisë kanë paralajmëruar një qytetar, të cilit i është djegur makina dhe që ka afat 15 ditë për ta lëvizur.

Po cfarë ndodh me makinat e bllokuara?

Policia Rrugore sqaron se personat që kanë këto makina kanë 90 ditë afat për ta tërhequr në një nga pikat e bllokimit automjetin e tyre.

Nëse pas 90 ditësh nuk shkoni për të paguar gjobën dhe për të marrë mjetin, atëherë makina i kalon rezervave të shtetit dhe ka dy mundësi, ose nxirret në ankand për tu shitur, ose shitet për skrap.