TIRANE – Ndarja e mandateve do të shqyrtohet edhe një herë në tryezën e KQZ-së. Kjo pas kërkesës së 3 anëtarëve të propozuar nga e majta në KQZ, të cilwt pranojnë variantin e propozuar nga administrata ku Beratit dhe Korçës u hiqet nga një mandat për t’ju shtuar Tiranës dhe Durrësit. 

Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba sqaron se auditi i ngritur nga PS konstaton se të dhënat e ofruara nga Ministria e Brendshme janë të sakta ligjërisht, por jo moralisht, ku punonjës policie nga Tirana janë regjistruar si banorë të zonave të thella të Kukësit. 

“Numrat e dërguar nga Ministria e Rendit në atë kohë rezultojnë të saktë formalisht, moralisht janë të cedueshëm, por unë deri në këtë pikë mund të shkoj, nuk mund të shkoj më tutje. Ju mbetet subjekteve të interesuar, prokurorisë të hetojë, por përsa i takon institucionit të Komisionit të Zgjedhjeve të thërrasim një mbledhje të KQZ-së me temë pikërisht caktimin e mandateve”,- deklaroi Biba. 

Vendimmarrjen e Kuvendit për lënien në fuqi të skemës së 2009-ës për ndarjen e mandateve, Biba e cilëson të paligjshme dhe me pasoja të rënda për zgjedhjet e ardhshme. 

“Nëse ndarja e mandateve përfundon me regjistrimin e 2009-ës, çdo subjekt zgjedhor mund të çojë në Gjykatën Kushtetuese procesin zgjedhor dhe gjykata me të gjitha shanset do ta shpallë procesin të paligjshëm.”- deklaroi Biba. Komisioni i Ligjeve miratoi të mërkurën shpërndarjen e mandateve të deputetëve njësoj si në vitin 2009.