Lëkundjet sizmike nuk tronditën vetëm vendin tonë ditën e martë, pasi disa tërmete u shënuan në vende të ndryshme të botës.
Lëkundjet më të forta ishin ato që u ndjenë në Karaibe, ku i pari me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter, goditi brigjet e Xhamajkës në orën 14:10 me orën lokale (20:10). Lëkundjet ishin kaq të forta sa detyruan autoritetet që të evakuonin njerëzit deri në vende si Miami, Florida. Vetëm 2 orë më vonë, një tjetër tërmet me magnitudë 6.1 ra në brigjet e Ishujve Kajman, duke shkaktuar dëme të shumta.
Tërmeti i parë, me magnitudë 7.7, ra në veriperëndim të Xhamajkës dhe juglindje të Kubës.
Në Ishujt Kajman një gropë u hap në tokë si pasojë e lëkundjeve të forta, ndërsa krijoi të çara në rrugë. Megjithatë deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme serioze.
Po gjatë ditës së djeshme, lëkundje tërmeti pati edhe në Turqi. Ato ishin më magnitudë 4.9 të shkallës Rihter dhe me epiqendër në provincën perëndimore të Manisës. Tërmeti ra në orën 14:26 me orën lokale.
Pak orë më vonë, një tërmet me magnitudë 5.4 të shkallës Rihter lëkundën ishujt Dodekaneze në Greqi. Tërmeti ra në orën 17:38 me orën lokale dhe u ndjenë edhe në Turqi.
Më pas, në orën 21:15 tërmeti me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter tronditi vendin tonë, duke u pasuar nga një tjetër lëkundje me magnitudë 4.1, në orën 21:17. Tërmeti i parë e kishte epiqendrën 18 kilometra nga Shijaku dhe 34 kilometra nga Tirana. Ndërsa lëkundja e dytë ishte 5 kilometra nga Fushë-Kruja.
Banorët e Durrësit dhe Tiranës, u përfshinë nga frika duke dalë jashtë në rrugë, ndërsa nata fatmirësisht kaloi qetë, pavarësisht disa lëkundjeve të vogla.





