Jetesa në karantinë mundi t’iu mësonte njerëzve një gjë: rëndësinë e të paturit një rutinë. Arsyeja pse specialistët e shëndetit vazhdojnë t’i mëshojnë ruajtjes së zakoneve të përditshme është mirëqenia e shëndetit mendor për shkak të saj.

Kryerja e një veprimi të njëjtë çdo ditë largon stresin e dilemave dhe zgjedhjeve, pra më pak presion. “Sapo alarmi bie në mëngjes, truri zgohet dhe nis automatikisht të marrë vendime. Pyetje si ‘a duhet ‘i laj flokët?”, ‘sa takime kam sot?’ etj nisin të vërtiten në mendje ende pa  u ngritur nga krevati. Këto mund të shkaktojnë stres ndërsa një rutinë bën të kundërtën: eliminon të panevojshmen dhe ul nivelin e stresit sepse shumë nga këto aspekte do jenë të shpërndara në ditën tuaj”, shprehet Giulia Guerrini, një punonjëse shëndetësore.

Një rutinë është thelbësore për njerëzit që kanë probleme me motivimin dhe mësimin e zakoneve të shëndetshme. Në përgjithësi, të ushqyerit e shëndetshëm, shkuarja në palestër apo ndjekja e një aktiviteti të përditshëm kërkon një lloj zgjedhjeje.

Por gjërat që ne bëjmë pa menduar thjesht sepse janë pjesë e rutinës sonë ditore nuk kanë nevojë për motivim. Duke ndjekur linjën e ndërtimit të zakoneve,  kjo kthehet në një rutinë dhe nuk duhet më të zgjedhësh për ta bërë ose jo sepse e bën automatikisht.

Një tjetër të mirë që ka rutina është se na bën të ndihemi sikur kemi kontroll mbi gjërat, sidomos në ditët e këqija. Sigurisht që nuk mund të kontrollosh gjithë mbarëvajtjen e një dite, por nëse thjesht në mbarim të saj shkon në shtëpi dhe ndjek rutinën tënde para se të flesh, të jep ndjesinë se e ke mposhtur edhe një tjetër ditë jo të mbarë.

Psikologët mbështesin idenë se rutinat na bëjnë të ndihemi më të lumtur pasi lejojnë mundësinë e zgjedhjes për gjërat që na kënaqin më shumë. Nuk duhet të mendosh për t’i dhënë prioritet kujdesit ndaj vetes sepse kthehet në një zakon të përditshëm.