Këtë të shtunë ka mbërritur në Gjykatën e Durrësit 13-vjeçarja nga Kavaja, e cila u abuzua seksualisht nga shokët e shkollës.
Me kërkesën e Prokurorisë, gjykata vendosi pyetjen e të dëmtuarës, dëshmia e së cilës do të përdoret si provë në procesin ndaj 8 të akuzuarve, apo personave të tjerë që mund të rezultojnë të implikuar në krimin tronditës.
Ky veprim hetimor u krye, për të shmangur çdo tentativë të mundshme për kërcënimin e të dëmtuarës, që të tërhiqej nga dëshmia, si dhe për shkak të moshës, traumave që ka kaluar e mitura, që mund t'i zbehte kujtesën.
Seanca për pyetjen e 13-vjeçares zgjati rreth 3 orë e gjysmë dhe në disa raste gjykata është detyruar ta ndërpresë atë, pas shqetësimeve të shfaqura nga ana e të abuzuarës.
Në dëshminë e saj, e mitura i ka qëndruar deklaratave të saj të dëshmuara edhe në Polici. Seanca e marrjes në pyetje është ndjekur përmes monitorit edhe nga avokatët mbrojtës të djemve, të cilët ndodhen tashmë pas hekurave.





