Shkodër, 13 qershor 2014 – Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme të DPQ Shkodër, ka finalizuar me sukses operacionin “Minorenia”, duke bërë të mundur gjetjen e shtetases me iniciale M. S., vjeç 16, banuese në Shkodër, e cila prej më shumë se një muaji, ka qënë shpallur në kërkim nga policia.
Zëdhënësi i shtypit të policisë qarkut Shkodër, Bardhyl Saliu, bëri të ditur për mediat se vajza minorene është gjetur në një godinë në afërsi të Qytetit Studenti, Tiranë.
Saliu shtoi se , nga kryerja e veprimeve nga ana e policisë rezultoi se kjo shtetase ishte rrëmbyer për qëllime trafikimi dhe prostitucioni, nga shtetasi Marash Zojza, vjeç 24, banues në Shkodër, i cili u ndalua me urdhër të Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në rrëmbimin e saj, Marashi ka bashkëpunuar me vëllain e tij binjak shtetasin Lekë Zojza, vjeç 24, banues në Shkodër, i cili është ndaluar nga ana e policisë Shkodër një javë më parë në qytetin e Shkodrës.
“Të dy këto persona kanë pasur qëllim ta dërgonin minorenen në Francë, për qëllime prostitucioni.”, thekson zëdhënësi Saliu, duke bërë të ditur se materialet në ngarkim të kësaj ngjarje, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të mëtejshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





