5 qershor 2015 – “Nuk e kundërshtoja dot, sepse kisha frikë. Ai më bënte presion, më thoshte të mos kundërshtoja e të mos i tregoja asnjeriu. Nuk i tregova askujt, se më vinte turp. Kisha frikë të vija në shkollë dhe në fund i tregova mamasë”.
Këto janë fjalët e nxënëses 12-vjeçare që është abuzuar seksualisht nga mësuesi i saj kujdestar Demir Hoxha, në shkollën “Hysen Malko” në Kryekuq të Divjakës.
Vajza e mitur ka rrëfyer në polici, në praninë e një psikologeje, se si është abuzuar seksualisht nga mësuesi i saj 62-vjeçar.
Ai e mbante nxënësen e mitur jashtë orarit të mësimeve, vetëm në klasë, duke e angazhuar me korrigjimin e provimeve dhe abuzonte me të që prej disa muajsh.
Kjo histori ka tronditur jo vetëm komunitetin e zonës, por edhe opinionin publik.
Ndërsa, vajza e mësuesit Hoxha, Ana, nënë e dy fëmijëve është kthyer në fshatin e lindjes për t’i qëndruar pranë nënës së saj. Në një rrëfim për gazetën ‘Panorama’ ajo ka dyshime të forta se gjithçka është e sajuar. Por, shprehet gjithashtu se nëse kjo histori do të rezultojë e vërtetë, ajo nuk do t’ia falte kurrë këtë veprim babait të saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/