ITALI, 23 shkurt 2013 – Janë konfirmuar dyshimet e disa mjekëve pas vdekjes së 87 vjeçares Nicoletta Ontano, e cila ndërroi jetë më 16 shkurt në repartin e kirurgjisë së përgjithshme në spitalin e Salernos. E moshuara kishte mbajtur për 7 muaj me rradhë në bark një pincë kirurgjikale. Prania e pincës në barkun e 87 vjeçares ka dalë në pah pas analizës autoptike, të bërë nga profesori Giuseppe Vacchiano.

Rezultatet e analizave laboratorike do të përcaktojnë tashmë nëse shkaku i vdekjes së 87 vjeçares ka qenë apo jo prezenca në bark e pincës së gjatë 22 cm. Instrumenti kirurgjikal u harrua në barkun e Nicoletta-s, ndërsa kjo e fundit iu nënshtrua një operacioni në 19 korrik 2012.

Tashmë mjeku ligjor ka 60 ditë kohë për t’i kthyer përgjigje gjykatës nëse ishte instrumenti kirurgjikal shkaktari i vdekjes së të moshuarës. 

 

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/