I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu nga veriu në jug, ndërsa uji ka vërshuar në rrugët e Durrësit duke shkaktuar probleme me qarkullimin, si të këmbësorëve ashtu edhe të mjeteve.

Me gjithë ndërhyrjet e reja që iu janë bërë rrugëve të Durrësit për të shmangur përmbytjet, panorama e sotme ishte e përsëritur. Në pikat më problematike të qytetit që ka gjithnjë përmbytje sa herë bie shi, edhe këtë të hënë nëntori, ishte e njëjta situatë.

Operatori i “DurrësLajm” sjell pamjet nga zona e Vollgës, ku niveli i ujit ka arritur në trotuar, zona e stadiumit – një nga më problematiket, sheshi "Liria" etj.

Ndërkohë që tragetet e linjës Bari-Durrës nuk kanë mbërritur në portin e Durrësit sot në mëngjes. Të dy tragetet nuk arritën të niseshin mbrëmë nga porti i Barit për shkak të motit të keq me një det që shkontë me forcë 7 ballë. Tragetet janë nisur sot dhe pritet të mbërrijnë në Durrës pas orës 14:00.