Tiranë, 11 qershor 2014 – Një qytetar grek do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës, për të dhënë llogari para drejtësisë për akuzën e përndjekjes ndaj një vajze shqiptare. Marios Dimopoulos, përgjatë muajve të tërë, përndiqte në çdo hap Blerina T., duke tentuar në këtë mënyrë që ta bindte të bëhej e dashura e tij. Në dosjen e plotë të prokurorisë që "GSH" disponon, thuhet se Blerina T., para një viti është njohur nëpërmjet rrjetit social "Facebook" me shtetasin grek Marios Dimopoulos.

Pas disa komunikimeve, Marios ka ardhur në Shqipëri dhe në muajin shkurt janë takuar për të pirë kafe. Pas këtij takimi Blerina është takuar edhe dy-tri herë të tjera me këtë person. Marios i ka kërkuar asaj që të lidhej me të. Vajza i ka kërkuar kohë Mariosit që të mendohej. Në muajin prill të vitit 2013 ajo i ka kthyer përgjigje nëpërmjet "Skype" se nuk mund të lidhej me të për shkak të distancës së largët. Gjithashtu, ky person nuk i dukej serioz.

Vajza ka vijuar normalisht jetën e saj, por jo për shumë gjatë, pasi Marios ka filluar ta përndjekë atë hap pas hapi, duke i shkuar në vendin e punës, në shtëpi, duke i dërguar mesazhe kërcënuese në telefon, e madje ka shkuar deri aty sa e ka goditur dhe me pëllëmbë. Ai kërkonte me forcë që vajza të lidhej me të. Fakti që Marios Dimopoulos vjen nga Greqia në Shqipëri, tregon se ky person vjen me qëllimin e vetëm, përndjekjen e Blerina T..

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/