Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar pasi akuzohet për përdhunimin e një të miture në Greqi. Shqiptari Edi Jaupllari u arrestua në 23 janar në Pire, me akuzën e përdhunimit të një 16-vjeçareje dhe kërcënimin e vazhdueshëm të saj.

Të rinjtë ishin njohur përmes një rrjeti social dhe pasi kishin folur kishin lënë një takim. Jaupllari kishte shfrytëzuar rastin për të kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, ndërsa më pas e kërcënonte se do të publikonte foto dhe video nga takimi në internet.

Ky është rasti i dytë ku një shqiptar arrestohet për kërcënimin e një të miture brenda një jave. Kujtojmë që një tjetër shqiptar u arrestua 2 ditë më parë në Mesinia, nga policia e Kalamatas, pasi shantazhonte një 14-vjeçareje se do t’i publikonte foto nudo në internet nëse ajo nuk pranonte kërkesat e tij.