SHBA, 21 prill 2014 Një 16-vjeçar i mbijetoi një udhëtimi të vështirë, ndoshta të jashtëzakonshëm, i fshehur në njërin prej kafazëve të rrotave të avionit, që fluturoi për 4 orë nga Kalifornia në Hauai. Një zëdhënëse e kompanisë ajrore “Hawaiian Airlines” tha se stafi e vuri re 16-vjeçarin pasi avioni u ul në aeroport, të dielën në mëngjes.

“Djali ishte me fat që mbijetoi”, – tha zëdhënësja e “Hawaiian Airlines”.

Djali, që nuk kishte asnjë dokument veç një krehër, u mor në pyetje nga agjentët e FBI-së dhe, pas kontrollit mjekësor, mjekët thanë se ishte në gjendje të mirë.

Raportohet se 16-vjeçari ia kishte mbathur nga shtëpia pas një sherri dhe kishte hapur një të çarë në gardhin e aeroportit “San Hose” për të hipur në avion.

Në fakt, ai i mbijetoi mungesës së oksigjenit dhe temperaturave shumë të ulta, kur avioni u ngjit në 12,000 metra lartësi. Sipas zëdhënësit të FBI-së, djali kishte qenë i pa vetëdijshëm në pjesën më të madhe të fluturimit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/