·        Kontrolli i Lartë i Shtetit: Shoqëria  Cargotec Austria GmbH  paraqet një dokument të skanuar, të pafirmosur, të papërkthyer dhe të panoterizuar, më datë 30 dhjetor 2011, në kundërshtim me Konventën e Hagës të datës 5 tetor 1961 etj.

Thanas Mustaqi

DURRËS, 17 korrik 2014 –  E njëjta firmë me NPIT dhe përfaqësues të njëjtë, konkurron në Durrës si të ishin dy firma, dhe kjo kompani nuk është dosido: një koncern i madh si  Kalmar-Cargotec  me seli në shtetet më pak të korruptuara në botë si Finlanda (e treta mes 177 vendeve të botës për vitin 2013), Holanda (e teta, shih faksimilen e indeksit në anglisht) dhe Austria (e njëzetegjashta), janë “shqiptarizuar” në portin e Durrësit dhe kanë bërë veprime të rënda korruptuese që do t’i ndëshkonin rëndë në vendet tyre, por shkojnë me mendimin se Shqipëria (në vendin e 116- të të të indeksit të korrupsionit) është “Afrikë” ideale.   

Në faqen 160 të raportit të auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit [maj 2014] zbulohet se lidhja e kontratave nga ana e  Autoritetit Portual Durrës sha  më 23 mars dhe 30 mars 2013 me “dy” shoqëri holandeze-austriake, është mashtrim, pasi 

 Kalmar HebeFahrzeuge HandelgesmbH  dhe  Cargotec Austria GmbH  kanë të njëjtin NIPT dhe të njëjtin përfaqësues ligjor, austriakun z. Jurgen Vurcer (Wurzer) [shih faksimilen poshtë me rezolucion të lartë].

Në faqes ueb të  Kalmar-it, në versionin anglisht thuhet: “Cargotec Austria GmbH 

 u krijua me emrin  Kalmar HebeFahrzeuge HandelgesmbH  dhe është filial operacional 100 % i  Cargotec OY,  me seli në Finlandë” [Cargotec Austria GmbH has been founded in 1993 as Kalmar HebeFahrzeuge HandelgesmbH and is operational a 100% subsidiary of Cargotec OY, situated in Finland,  shih poshtë faksimilen, pjesa e mbuluar me blu, me rezolucion të lartë].

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se veprimet e shoqërisë  Cargotec Austria GmbH  janë kryer me një dokument të skanuar, të pafirmosur, të papërkthyer dhe të panoterizuar më datë 30 dhjetor 2011, protokolluar në  Autoritetin Portual Durrës  me nr. 13 të datës 5 janar 2012, shkresë që nuk mund të merret si provë dokumentare, veprim në kundërshtim me Konventën e Hagës të datës 5 tetor 1961 “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja”, neni 12; me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 134, datë 7 mars 2003 “Për vërtetimin e dokumenteve të lëshuara në Republikën e Shqipërisë për përdorim jashtë vendit dhe të dokumenteve të huaja për përdorim brenda vendit”, pika 4; me ligjin nr. 7829, datë 1 qershor 1994 “Për noterinë”, neni 56, i ndryshuar me Udhëzimin e Ministrisë së Drejtësisë nr. 6291, datë 17 gusht 2005, pikat 3,4 dhe 7.

Në tenderin e zhvilluar më datën 30 korrik 2012 ku është shpallur fituese shoqëria  Cargotec Austria GmbH, me vlerë 60 415 771 lekë, mungon dokumentacioni i pronësisë së mjeteve (certifikatë pronësie ose kontratë marrjeje me qira, kërkesë e cila nuk është vënë për kualifikim nga grupi i ngritur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv Eduard Ndreu).

Anulimi i tenderit për blerjen e dy mjeteve të reja riçstejker (reachstaker), mjete për terminalin e kontejnerëve, ka kërkuar domosdoshmërisht marrjen me qira të mjeteve të tyre, shërbim, nga i cili shoqëria shtetërore  Autoriteti Portual Durrës sha  ka harxhuar 584 370 euro (81 805 220 lekë).

Mjetet që do të blinte, do të kushtonin, me ofertën e parë 715 000 euro (117 117 000 lekë), kurse me ofertën e dytë 734 mijë euro (120 229 200 lekë).

Nga blerja e dy riçstejkerve APD-së nuk do t’i ishte krijuar asnjë efekt financiar. Ndërsa nga marrja me qira te  Cargotec Austria GmbH  i është krijuar një efekt financiar, sikurse u tha më sipër, prej 584 370 euro (81 805 220 lekë).

Ky veprim është në kundërshtim me ligjet përkatëse, VKM-në, udhëzimin e Ministrisë së Financave.

Nuk po ndalemi në hollësitë e kontrollit për të mos lodhur lexuesin, por mjafton të thuhet se për këtë koncern ndërkombëtar flitet shumë keq në port, duke e cilësuar më korruptuese se vetë firmat shqiptare me “përvojë” në këtë fushë.

Ka shkelur dhe Konventën e Hagës, ku aderojnë Finlanda, Holanda, Austria dhe Shqipëria.

Info

Cargotec Albania shpk  u themelua më 12 qershor 2009 me objekt prodhim industrial, shpërndarje dhe tregtim i pajisjeve teknike si edhe shërbimeve te veçanta dhe të përgjithshme mbi pajisje teknike dhe çdo veprimtari tjetër që lidhet me sa sipër në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Përfaqësuesit ligjorë: Wolfgang Stoven, Outi Inkeri Aaltonen, Jonne Hankimmaa, Hans-Jurgen Wurzer (ky nga 7.5.2012 deri më 7.5.2015)

Ortaku i vetëm: Cargotec Holding Netherlands B.V.

/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”/