DURRËS, 15 korrik 2014 –  Një firmë ka marrë me qira… licencë profesionale (!) për të fituar tender, fakti i rrallë dhe i bujshëm bëhet publik nga Komisioni i Prokurimit Publik, pas ankesës që ka bërë “qiramarrësi” kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Më 9 prill 2014 Shtëpia e Pushimit (ndryshe: konvaleshenca) e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Durrës ka bërë njoftim tenderimi për blerje mishi dhe nënproduktesh të tij për vitin 2014 me fond limit 3 318 379 lekë.

Më 24 prill 2014, nga komisioni i vlerësimit të ofertave (KVO) është kryer në sistemin elektronik të prokurimeve vlerësimi dhe klasifikimi i 7 ofertave të paraqitura, nga ku oferta e një operatori ekonomik me seli në Tiranë rezultonte e shkualifikuar, mes të tjerave dhe për faktin se mungonte licenca e firmës lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit, duke ka paraqitur licencën e dy firmave nga Sukthi.

Më 29 prill 2014 ofertuesi i shkualifikuar ka paraqitur ankesë pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Durrës ku kundërshtonte vendimin e KVO-së si jo të drejtë.

Më 6 maj 2014 konvaleshenca e Plepave i hedh poshtë ankesën duke e sqaruar se nuk ka paraqitur licencën profesionale të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL), kjo licencë i jepet subjektit që ushtron aktivitetin dhe nuk mund të merret me qira nga një subjekt  tjetër.

Dhe “gallata” më e madhe është se më 16 maj 2014 ky subjekt ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ku pretendon, mes të tjerave se “lidhur me pretendimin e KVO-së se nuk kemi paraqitur licencë të lëshuar nga QKL-ja, sqarojmë se kemi paraqitur kontratën për marrjen me qira të një ambienti të shoqërisë XY, e cila është e pajisur licencë të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit, për veprimtarinë “Shitje me shumicë e prodhimeve me origjinë shtazore për njerëz” dhe rrjedhimisht shoqëria jonë bëhet përfituese e licencës së kësaj shoqërie”.

Më 24 qershor 2014 Qendra Kombëtare e Licencimit me shkresë informon Komisionin e Prokurimit Publik se subjektet që ushtrojnë aktivitetin e shitjes me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore (për njerëz) dhe nuk janë pagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël u nënshtrohen procedurave të licencimit pranë QKL-së dhe pajisen me licencën “Shitje me shumicë e ushqimeve me origjinë shtazore (për njerëz)”, me kodin II.1.B.

Kështu Komisioni i Prokurimit Publik la në fuqi vendimin e konvaleshencës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/