DURRËS, 12 qershor 2015 –  Ngjarje e paprecedentë, teksa në “Fletorja Zyrtare” të datës 12 qershor 2015 (shih faksimilen) është botuar, në faqen 5056, një Vendim i Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 519, po i datës 12.6.2015 “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarit [Kujtim Bega] të pasurisë së paluajtshme, pronë private [773 metra katrorë, me një vlerë të përgjithshme 37 821 663 lekë], që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i ishullit në lumin Osum”.

Ende nuk është njoftuar ndonjë mbledhje e Këshillit të Ministrave më 12 qershor 2015. Ja teksti i VKM-së:

Vendim nr. 519, datë 12.6.2015 Për shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i ishullit në lumin Osum”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr. 160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave, vendosi:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i ishullit në lumin Osum”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Berat.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi për pasurinë, sipërfaqe ndërtimore, me një vlerë të përgjithshme 37 821 663 lekë (tridhjetë e shtatë milionë e tetëqind e njëzet e një mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 37 821 663 (tridhjetë e shtatë milionë e tetëqind e njëzet e një mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

 5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.

6. Shpronësimi të fillojë në datën 12.6.2015.

7. Pronari, që përmendet në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Berat.

8. Fondi i shpronësimit sipas pikës 3 të këtij vendimi, t’i kalojë Bashkisë Berat, e cila do të bëjë dhe likuidimin e pronarit pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.

10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe Bashkia Berat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Edi Rama

 

 

/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/