13 korrik 2015 – Në Gjermani do të shitet në ankand një autoveturë tepër e rrallë BMW, e cila është prodhuar në sasi të kufizuar. Fjala është për modelin BMW M1, që u lançua në vitin 1981 dhe që ka një histori të çuditshme.
Ekzemplari i nxjerrë në shitje është në gjendje shumë të mirë, boja e makinës nuk duket e vjetruar apo e dëmtuar, nuk vërehen gjurma ndryshku. Makina është lyer me bojë “Polaris Silver”, si dhe dy ekzemplarë të tjerë. Vetura ka bërë vetëm 17.500 kilometra, jashtëzakonisht pak për një automjet me moshë më shumë se 30 vjeç. Janë prodhuar gjithsej 456 ekzemplarë të këtij modeli.
BMW M1 ka një motor 3.5 litra atmosferë me një konfiguracion në 6 cilindra. Për atë kohë motori kishte një fuqi të pabesueshme prej 277 KF. Në saj të këtij motori vetura arrin shpejtësinë 100 kilometra në orë në 5 sekonda. Shpejtësia maksimale është 260 kilometra në orë.
Për arsye se makina me këtë ngjyrë praktikisht nuk u prodhua, si dhe për shkak të “tirazhit” të vogël, ky ekzemplar ka një vlerë shumë të lartë për koleksionuesit. Është vënë një çmim prej 965 mijë dollarë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/