Aktori i njohur Kevin Spacey ka arritur një marrëveshje jashtë gjykate me tre persona që e kishin paditur, duke e akuzuar për sulm seksual.

Çështja pritej të shqyrtohej në Gjykatën e Lartë gjatë këtij viti, por procedurat janë pezulluar pas arritjes së marrëveshjes.

Ata pretenduan se aktori Spacey i ka sulmuar seksualisht në periudhën mes viteve 2000 dhe 2013. Aktori 66-vjeçar, fitues i çmimit Oscar, i mohon të gjitha akuzat. Ai ishte shpallur më parë i pafajshëm për nëntë akuza për vepra seksuale në një gjyq penal në vitin 2023.

Dy nga burrat që e akuzuan aktorin gjatë gjyqit penal kishin ngritur gjithashtu padi civile në Gjykatën e Lartë.

Njëri prej tyre, pretendon se Spacey e ka ngacmuar rreth 12 herë midis viteve 2000 dhe 2005. Një tjetër thotë se u njoh me Spacey në teatrin Old Vic Theatre në Londër dhe pretendon se ka pësuar “dëmtime psikologjike dhe humbje financiare” si pasojë e një sulmi në vitin 2008.

Spacey ka qenë drejtor artistik i këtij teatri nga viti 2004 deri në 2013.

Personi i tretë, Ruari Cannon, ka hequr dorë nga anonimiteti. Ai ishte pjesë e shfaqjes “Sweet Bird of Youth” në Old Vic në vitin 2013 dhe pretendon se Spacey e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme në një festë pas natës së premierës.

Në një seancë gjyqësore më herët këtë muaj, avokatët e paditësve kërkuan që dëshmitë e shtatë personave të tjerë, të cilët pretendojnë sjellje të ngjashme abuzive, të merren në konsideratë gjatë gjyqit.

Detajet e marrëveshjeve mes Spacey dhe akuzuesve nuk janë bërë publike.