Ish deputetja e PS, Klotilda Bushka, një nga të pandehurat e dosjes “Veliaj” ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Avokati Henrik Ligori deklaroi se Klotilda Bushka, nuk ka pranuar akuzat gjatë hetimit paraprak, duke i konsideruar ato të pabazuara në prova dhe fakte.
Avokati Ligori theksoi se gjyqtari i seancës paraprake e ka kaluar çështjen për gjyq, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pushimin e saj në atë fazë.
Në vijim, Ligori konfirmoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe shtoi kërkesën për ndarje të çështjes, duke argumentuar se GJKKO nuk ka kompetencë vendore për këtë rast dhe propozon dërgimin e çështjes tek një gjykatë tjetër.
“Për të pandehurën Klotilda Bushka, e mbrojtura prej nesh zonja Bushka që në fazën e hetimit paraprak, nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësor si të pambështetur në prova dhe fakte. Gjyqtari i seancës paraprake e kaloi çështjen për gjyq, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes në atë proces. Së pari konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe moskopetencën lëndore të kësaj gjykate dhe dërgimin e çështjes në një tjetër gjykatë. Ne kemi sjell një dokument që Bushka nuk është më deputete”, tha avokati Henrik Ligori.





