Një ngjarje e pazakontë në Kinë është bërë virale në rrjetet sociale, ku një burrë i martuar akuzon një zinxhir farmacies se “i shkatërroi martesën”, pasi sipas tij i zbuloi gruas lidhjen jashtëmartesore, përmes një telefonate të paqëllimshme.

Ngjarja ndodhi në provincën Guangdong, ku burri në fjalë tentoi të blejë pilula kontraceptive me vlerë rreth 2.2 dollarë, përmes një aplikacioni të farmacies. Por, për shkak të një “problemi me sistemin e pagesave”, transaksioni nuk u përfundua.

Stafi i farmacisë, në përpjekje për të konfirmuar blerjen, kontaktoi me numrin e regjistruar në kartën e anëtarësisë, i cili rezultoi të ishte i gruas së tij. Gjatë telefonatës, gruaja pyeti për natyrën e produktit dhe punonjësja e informoi hapur se bëhej fjalë për kontraceptivë.

Pas kësaj, bashkëshortja kuptoi gjithçka. Sipas burrit, jo vetëm që martesa e tij është drejt fundit, por edhe lidhja jashtëmartesore që kishte me një grua tjetër tashmë ka dalë në shesh duke shkaktuar “shkatërrimin e dy familjeve”.

Në një postim në rrjetin social Weibo, burri shpreh zemërimin e tij dhe pyet publikisht:

“Tani që gruaja ime i di të gjitha, dy familje janë në prag të kolapsit. Farmacia nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë?”

Ai madje ka publikuar faturën e blerjes, bisedën mes bashkëshortes dhe farmacistes, si dhe një raport të bërë në polici.

Ekspertët: Nuk ka shanse ligjore

Megjithëse ai ka paralajmëruar padi ndaj farmacisë, ekspertët ligjorë në Kinë janë skeptikë. Avokati Fu Jian deklaroi për mediat:

“Ajo që ka çuar në prishjen e martesës është tradhtia bashkëshortore. Farmacia nuk ka shkelur ligjin, telefonata ishte një veprim rutinë për verifikim.”