Ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar pas hijeve të skandalit ku disa media kanë folur për shitje të diplomave dhe certifikatave false nga Tirana për shtetas italianë, përmes kolegjit universitar ‘Wisdom’.
Asokohe drejtonte ministrinë e Arsimit, Kushi nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka sqaruar se në asnjë moment emri i saj nuk përmendet në dosjen e prokurorisë italiane si person të cilit do t’i jepeshin dhurata në këmbim të ndonjë ndikimi prej saj në procedurën e akreditimit.
Në lidhje me disa abuzime të bëra nga disa media gjatë ditës së sotme, shkruan ajo, mbi hetimet e dosjes italiane për mashtrimet me diploma të Universitetit ‘Wisdom’, dua t’ju sqaroj se: Në dosje ka një paragraf ku thuhet: “Ia vlen të përmendim që në vazhdim të dhuratave Catalano Lucia e Cianci Savino përpiqen të përgatisin dhe të dhurojnë dhurata simbolike në kuadër të festës së Krishtlindjes për amabasadorin, përfaqësues të ambasadës, ministre, zv. ministre, shefes së kabinetit, zyrës së matrikullimit dhe zyrës së akreditimit”.
“Dua të ndaj qëndrimin tim me opinionin publik se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion dhe në rastin tim si ish drejtuese e këtij institucioni, MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve apo programeve të studimit në asnjë hap të procesit. Akreditimi i institucioneve arsimore bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj, të zgjedhur me një konkurs të hapur” shkruan ajo.
Ndaj thekson Kushi, “si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020 – shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla.”