Deputetja e Kuvendit, Rudina Hajdari ka marrë pjesë në homazhet e zhvilluara sot për 21-vjetorin e vrasjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

Në një postim në Facebook, Rudina ka postuar një foto teksa shfaqet e përkulur në varrin e të atit në Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa e cilëson figurën e Azemit, frymëzimin më të madh të besimit tek sistemi i demokracisë.

POSTIMI I PLOTË

Sot, pas 21 vitesh, krizat e ndryshme kanë mbërthyer e nuk janë të zgjidhura për shoqërinë dhe shtetin tonë, mbi faktin se sa të lirë e sa të sigurt jemi nga shteti ligjor.

Fatkeqësisht, shumë pak avantazhe dhe të drejta kanë arritur shqiptarët nga ky tranzicion i vështirë dhe nga paqëndrueshmëria politike.

Edhe pse konteksti historik është i ndryshëm, unë mendoj se figura e Azem Hajdarit, liderit të lëvizjes studentore dhe heroit të fjalës së lirë, mbetet frymëzimi më i madh i besimit tek sistemi i demokracisë.

Të rinjtë, por jo vetëm, akoma e kanë në dorë rrugën e drejtë dhe të duhur për të vendosur një shoqëri që nuk i cënohen të drejtat dhe mbrohen në mënyrë të barabartë përpara shtetit të së drejtës dhe i garantohen të gjitha mundësitë që gëzojnë vendet e familjes Evropiane.