Ifunanya Nwangene, këngëtare e talentuar që u bë e njohur pas pjesëmarrjes në sezonin e tretë të The Voice Nigeria, ka ndërruar jetë në moshën 26-vjeçare pas një pickimi vdekjeprurës nga gjarpri.

Sopranoja, e lindur në Enugu dhe e diplomuar si arkitekte, u pickua nga një gjarpër helmues në shtëpinë e saj në Abuja, raportoi BBC Africa.

Ajo ishte anëtare e korit Amemuso.

Lajmin e hidhur e konfirmoi drejtori muzikor i korit, Sam Ezugwu, përmes një njoftimi në Facebook.

“Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të Ifunanya Nwangene Nanyah”, thuhej në deklaratë, duke shtuar se zëri dhe shpirti i saj do të mungojnë thellësisht.

Sipas një anëtareje të korit, Hillary Obinna, pickimi e zgjoi Ifunanyan nga gjumi dhe më pas autoritetet gjetën dy gjarpërinj në shtëpinë e saj.

Fillimisht ajo kërkoi ndihmë mjekësore në një klinikë lokale, por aty nuk kishte antidot. Më pas u dërgua në Qendrën Federale Mjekësore Jabi.

Ifunanya Nwangene u bë e famshme në prill të vitit 2021 pas interpretimit mbresëlënës të baladës “Take a Bow” të Rihanna-s.

Ajo la pas një komunitet të tronditur, ndërsa kolegët e përshkruan si një vajzë të mrekullueshme me një talent të jashtëzakonshëm.

Në kanalin e saj në YouTube, ajo kishte publikuar cover-a të këngëve si “Lift Me Up” (Rihanna), “My Heart Will Go On” (Celine Dion) dhe “Slide Away” (Miley Cyrus).

Në një koment drejtuar fansave, ajo shkruante: “I vlerësoj të gjitha komentet. Jam e inkurajuar dhe do të vazhdoj të përmirësohem. Faleminderit të gjithëve!”