Konfliktet e mbartura prej vitesh të tëra në lidhje me tokën dhe bagëtitë që kullosin në to, ka çuar në plagosjen e djeshme të një 52-vjeçari në Shijak.

Rreth orës 19:30, në fshatin Likesh të Shijakut, 74-vjeçari Ahmet Norja ka plagosur me sëpatë shtetasin A.Ç. 52 vjeç. Aktualisht i dëmtuari ndodhet në spital jashtë rrezikut, ndërsa autori është arrestuar.

Burime zyrtare nga policia thanë për “DurrësLajm”, se shkak i konfliktit midis dy bashkëfshatarëve ka qenë kullosja e bagëtive. Prej shumë vitesh në fakt, dy bashkëfshatarët kanë pasur konflikte të vazhdueshme se përse bagëtitë e njërit kullosnin tek toka e tjetrit.

Ata nuk kanë gjetur kurrë paqe, deri sa pasditen e djeshme, sherri mes tyre precipitoi deri në plagosje, por fatmirësisht pa pasoja shumë të rënda.

Në debat e sipër, i moshuari ka rrëmbyer një sëpatë dhe ka qëlluar në kraharor 52-vjeçarin. I dëmtuari është dërguar menjëherë drejt spitalit të Durrësit, dhe fatmirësisht raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pohuan të njëjtat burime.

Ndërkohë, ndaj të moshuarit rëndon akuza e “Plagosjes së rëndë me dashje”.

S.L.