• Ka tri ‘të premte 13’ këtë vit, dhe nëse kjo na shqetëson, duhet të fajësojmë për këtë një grup, që ishin armiq të betuar të të gjitha bestytnive

Nga Trevor Timpson, BBC

17 shkurt 2015 –  Cilado qoftë arsyeja, që nga kohërat e lashta, shumë njerëz kanë pasur frikë nga e premtja dhe numri 13.

Por përse këto dy frikëra vijnë së bashku për të krijuar një supersticion, që shënohet në mbarë botën anglishtfolëse?

Jo për ndonjë arsye mistike, mesa duket.

“Nga pikëpamja astrologjike, nuk ka asnjë arsye për të shqetësuar nga “e premtja, 13”,” thotë Robert Currey nga “Equinox Astrology”.

Datat dhe ditët e javës janë të lidhura ngushtë me lëvizjet planetare dhe fazat e hanës, në një sistem që daton që prej babilonasve, thotë ai.

Por pse është ngritur kaq shumë kjo bestytni pra?

Në vitin 1907 u publikua një libër i titulluar “E premte, 13”, nga një promotor aksionesh, i quajtur Thomas Lawson.

Libri ishte një frymëzim për mitologjinë e “të premtes, 13” dhe kulmoi me një film të suksesshëm dhe të drejta televizive fitimprurëse.

Libri i tij është një legjendë e errët e Wall Street-it. Personazhi kryesor, në mënyrë të pamëshirshme ndërton rritje dhe rënie në tregje si hakmarrje ndaj armiqve, duke lënë pas mjerim dhe shkatërrim.

Në libër ai fiton përparësi nga ankthi që krijonte “e premtja, 13”, në tregje.

Pra, në vitin 1907, frika nga kjo datë ishte tashmë një bestytni e fortë.

Një çerek shekulli më parë, nuk ishte kështu.

Klubi i Trembëdhjetëshes, një grupim gjentëlmenësh për të sfiduar bestytnitë, për herë të parë u mblodh më 13 shtator 1991, një të mërkurë, edhe pse në fakt u formalizua të premten, më 13 janar 1882.

Ata takoheshin më datë 13 të çdo muaji, uleshin 13 persona në tavolinë, thyenin pasqyra dhe derdhnin kripë me shumicë. Raportimet vjetore të klubit tregonin me kujdes se sa anëtarë kishin vdekur dhe sa prej tyre kishin vdekur pa kaluar një vit që kur ishin bërë pjesë e klubit.

Klubi ishte themeluar nga kapiteni William Fowler- për të cilin thuhej se ishte një tip me zemër të madhe, i thjeshtë dhe bamirës. Ai kishte një restorant në Manhattan.

Si marshall i klubit, ai gjithmonë i udhëhiqte anëtarët drejt sallës së banketit.

New York Times raporton se në takimin e parë, i trembëdhjeti në tavolinë po vonohej.

Sapo i thanë kamarierit të hiqte karrigen, ai u shfaq.

Objektivi i parë i klubit ishte frika se nëse 13 persona darkonin së bashku, një prej tyre do vdiste shpejt.

Në prill të vitit 1882, ata miratuan një rezolutë, ku dënonin faktin se e premtja “për shumë shekuj është konsideruar një ditë e pafat për arsye të paarsyeshme”.

Klubi i bëri thirrje Presidentit, guvernatorëve të shteteve dhe gjykatësve që të ndalonin varjet në ditën e premte dhe të bënin ekzekutime edhe në ditët e tjera.

Por për tersin e “të premtes, 13” nuk ka asnjë shenjë për themelimin e klubit.

Mendohet se ai u shfaq diku mes vitit 1992 dhe publikimit të librit të Lawson në vitin 1907.

A është ky faji i vetë klubit?

Klubi bëri çfarë ishte e mundur për të përqeshur “të premten, 13”, siç raportonte Los Angeles Herald në vitin 1895.

Klubi krenohej se kishte vënë supersticionin në qendër të vëmendjes.

Fama e tij ishte e madhe. Nga 13 anëtarë fillimisht, ishin bërë qindra në fund të shekullit dhe klube të ngjashme ishin ngritur kudo në SHBA.

Një klub i tillë u themelua edhe në Londër në vitin 1894.

Në vitin 1883, publicisti i klubit, Charles Sotheran shkruante: “Ju keni luftuar me vendosmëri këto bestytni vulgare, 13-tën si numër i pafat dhe të premten si ditë e pafat. Ju keni krijuar një ndjenjë popullore për të dyja”.

Ai ndoshta kishte për qëllim të shkruante një “ndjenjë jopopullore për të dyja”. Fjalia është e paqartë.

Doktrina e Klubit të Trembëdhjetëshes ishte se “bestytnitë duhet të zhduken nga faqja e dheut”.

Por në vend të kësaj, ata gjeneruan një nga bestytnitë më të përhapura dhe më të vazhdueshme në histori.

Ishte një aksident i pafat.