Me qindra besimtarë ortodoksë do të ishin duke ndjekur nga afër daljen e epitafit pasditen e sotme, nëse pandemia Covid-19 nuk do të kishte ndryshuar rrjedhën normale të përditshmërisë sonë.

Si asnjëherë më parë, në këtë javë pashke, katedralja ortodokse e Apostul Palit dhe Shën Astit ishte e zbrazët. Madje dhe ditën e sotme, që për bësimtarët njihet si e premtja e zezë, të paktën ishin besimtarët që duke ndjekur masat kufizuese të distancimit social ndiznin qirinj në ambientet e jashtme të kishës.

Epitafi ishte përgatitur si çdo vit tjetër, por këtë herë do të qëndrojë brenda në kishë. At Spiro Kostoli shprehet se kontaktin me besimtarët janë munduar ta ruajnë me anë të komunikimit virtual, pasi çdo shërbesë bëhet me dyer të mbyllura.

“Besimtarët të përpiqen të afrohen me zotin jo me pjesëmarrjen në shërbesë reale, por me pjesëmarrje shpirtërore në shërbesat kishtare dhe duke ndihmuar shtresat në nevojë”,– thotë At Spiro Kostoli për DurrësLajm.

Për priftërinjtë dhe njerëzit e fesë, Pashkët e këtij viti u sjellin ndër mend Pashkët e para, atëherë kur Krishti u ngjall dhe ndjekësit e tij i festuan ato në ambiente të mbyllura.  

“Ne u bëjmë thirrje besimtarëve të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre derisa kjo pandemi të largohet dhe të gjithë së bashku më pas të kemi mundësi për të ardhur në kishë dhe për të kremtuar të gjitha festat së bashku”,– thotë At Kostoli.  

Sipas historiografisë kishtare, Jezu Krisht vdiq në kryq ditën e premte, për t’u ringjallur më pas mesnatën e së shtunës duke u gdhirë e diela, që përkon edhe me festën e Pashkëve, festa që së bashku me Krishtlindjen, është më e rëndësishmja në kalendarin e krishterë.